Bllokimet e përsëritura në sistemin e fiskalizimit po krijojnë vështirësi serioze për bizneset dhe profesionistët e lirë, duke rrezikuar jo vetëm vijimin normal të aktivitetit ekonomik, por edhe ekspozimin e subjekteve ndaj penaliteteve tatimore për shkaqe që nuk varen nga ata.
Në një shkresë zyrtare drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, me dijeni Ministrinë e Financave, Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) ngre shqetësimin për mosfunksionimin e elementëve bazë të fiskalizimit që prej datës 20 janar 2026 dhe në vijim.
Sipas APL-së, anëtarët e saj nga sektorë të ndryshëm kanë raportuar pamundësinë për të regjistruar certifikata të reja fiskalizimi, për të hapur filiale të reja apo për të kryer ndryshime të operatorëve përgjegjës për faturimin. Këto bllokime, që lidhen drejtpërdrejt me sistemin dhe jo me sjelljen e tatimpaguesve, po pengojnë rinovimin dhe aktivizimin e mjeteve të nevojshme për fiskalizim, si dhe po paralizojnë procese të domosdoshme për operimin ligjor të bizneseve.
Një nga problematikat më kritike lidhet me rastet e ndryshimit të operatorit, ku largimi, zëvendësimi apo shtimi i punonjësve sjell automatikisht bllokimin e faturimit dhe fiskalizimit, duke rrezikuar ndërprerjen e aktivitetit dhe konfliktet me klientë apo partnerë. APL thekson se mungesa e një komunikimi zyrtar nga institucionet përgjegjëse e bën të pamundur planifikimin korrekt dhe rrit pasigurinë në treg.
Pasojat, sipas shoqatës, janë të shumëfishta: vonesa në faturim dhe arkëtime, rritje e kostove operative, rrezik për gabime në dokumentacion, humbje klientësh dhe, mbi të gjitha, ekspozim ndaj gjobave dhe penaliteteve për afate që bizneset nuk i kontrollojnë. Në këtë kuadër, APL vlerëson se situata nuk dëmton vetëm subjektet private, por edhe interesin publik, pasi ndikon negativisht në qarkullimin ekonomik, në arkëtimet tatimore dhe në besimin te procesi i formalizimit të tregut përmes fiskalizimit.
Përballë kësaj situate, Aleanca e Profesionistëve të Lirë u kërkon institucioneve përgjegjëse një reagim të menjëhershëm dhe konkret. Konkretisht, ajo kërkon një njoftim zyrtar mbi afatet e rikthimit të sistemit në funksionim normal, trajtim të përshpejtuar për rastet kritike si ndërrimi i operatorit, pajisja me certifikatë të re apo hapja e filialit, si dhe garanci të qarta për mos penalizimin e bizneseve për vonesa apo gabime që burojnë drejtpërdrejt nga mosfunksionimi i sistemit.
Sipas APL-së, vetëm përmes udhëzimeve praktike dhe një qasjeje jo ndëshkuese ndaj tatimpaguesve në këtë fazë, mund të ruhet besimi te fiskalizimi si instrument formalizimi dhe jo si burim pasigurie për aktivitetin ekonomik. /ekofin.al
