Bizneset e Kosovës protestuan sot në kundërshtim të vendimit të vendimit të ZRrE-së për liberalizimin e tregut energjetik.
“Mos na lini pa punë”, “Liberalizmi i shpejtë i rrymës – monopol, jo konkurrencë”, “Mos na ndalni prodhimin”, “Mos e favorizoni importin”, “Mos na shumëfishoni faturat”, ishin disa nga thirrjet e bizneseve dhe punëtorëve të sektorit privat në protestën paqësore në Prishtinë, raporton KosovaPress.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi tha se kërkesat e bizneseve janë të qarta dhe të arsyeshme. Ai shtoi se për katër vjet, importi është rritur për 800 për qind më shumë se eksporti i Kosovës dhe se një vazhdim i këtij trendi do të ketë pasoja të rënda ekonomike.
“Tregu i lirë nuk mund të fillojë me një monopol, këto janë kushtet tona, asgjë më shumë. Qeveria para disa dite i ka dhënë mbi 30 milionë euro për me ja rrit pagat punëtorit të sektori publik, aq na duhet neve për t’i ruajtur 150 mijë vende të punës, asnjë më shumë. 30 milionë euro edhe BE i ka dhënë që me dalë në tranzicion ngadalë në treg të lirë, jo me monopol. Për katër vjet importi është rrit 800 për qind mes shumë se eksporti i Kosovës. Nëse vazhdon kjo, importi do të rritet 8 mijë për qind dhe ne do të mbetemi rrugëve”, ka thënë Krasniqi.
Përfaqësuesit e bizneseve dhe punëtorët e sektorit privat në shenjë proteste lëshuan pankartat para hyrjes së objektit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. /kosovapress