Me vendimin e paprecedent për të bombarduar objektet bërthamore të Iranit, duke iu bashkuar drejtpërdrejt sulmit ajror të Izraelit ndaj rivalit të tij rajonal, presidenti amerikan Donald Trump ka bërë atë që kishte premtuar se do ta shmangte gjithmonë – ndërhyrjen ushtarake në një luftë të madhe të huaj.
Sulmi dramatik i SHBA-së, përfshirë objektivin ndaj instalimeve më të fortifikuara bërthamore të Iranit në nëntokë të thellë, përfaqëson bastin më të madh të politikës së jashtme të dy mandateve të Trump dhe është i mbushur me rreziqe e të panjohura.
Trump, i cili të shtunën këmbënguli se Irani duhet tani të bëjë paqe ose të përballet me sulme të mëtejshme, mund të provokojë Teheranin të hakmerret duke mbyllur ngushticën e Hormuzit – arterien më të rëndësishme të naftës në botë – duke sulmuar bazat ushtarake dhe aleatët e SHBA-së në Lindjen e Mesme, duke rritur sulmet me raketa ndaj Izraelit dhe duke aktivizuar grupet proksi kundër interesave amerikane dhe izraelite në mbarë botën, sipas analistëve.
Këto lëvizje mund të çojnë në një konflikt më të gjerë dhe më të zgjatur sesa e kishte parashikuar Trump, duke sjellë kujtime të “luftërave të pafundme” që Amerika zhvilloi në Irak dhe Afganistan, të cilat ai i kishte quajtur “budallallëqe” dhe kishte premtuar të mos përfshihej më.
“Iranianët janë dobësuar seriozisht dhe kapacitetet e tyre ushtarake janë degraduar,” tha Aaron David Miller, një ish-negociator për Lindjen e Mesme për administratat Demokrate dhe Republikane. “Por ata kanë shumë mënyra asimetrike për t’u përgjigjur… Kjo nuk do të përfundojë shpejt.”
Para bombardimeve që ai njoftoi të shtunën mbrëma, Trump kishte luhatur mes kërcënimeve për veprime ushtarake dhe thirrjeve për negociata të reja për të bindur Iranin të nënshkruajë një marrëveshje për të çmontuar programin e tij bërthamor.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se, sapo Trump u bind që Teherani nuk kishte interes për një marrëveshje bërthamore, ai vendosi që sulmet ishin “veprimi i duhur”. Trump dha miratimin pasi u sigurua për një “probabilitet të lartë suksesi”, një vlerësim që u arrit pas më shumë se një jave sulmesh ajrore izraelite mbi objektet bërthamore dhe ushtarake iraniane që hapën rrugën për goditjen përfundimtare të SHBA-së.
Rreziku bërthamor vazhdon
Trump e përshkroi si “një sukses të madh” operacionin ushtarak, i cili sipas tij përfshinte përdorimin e bombave të fuqishme për bunkerë në objektin kryesor në Fordow. Por disa ekspertë sugjeruan se, ndonëse programi bërthamor i Iranit mund të jetë vonuar për disa vite, rreziku ende nuk është zhdukur.
Irani mohon se po kërkon të ndërtojë një armë bërthamore, duke thënë se programi i tij është për qëllime paqësore.
“Në planin afatgjatë, veprimet ushtarake ka gjasa të shtyjnë Iranin të vendosë se armët bërthamore janë të nevojshme për t’u mbrojtur dhe se SHBA nuk është e interesuar për diplomaci,” tha Shoqata Amerikane për Kontrollin e Armëve.
“Sulmet ushtarake nuk mund ta shkatërrojnë dijeninë e thellë të Iranit për teknologjinë bërthamore. Ato vetëm do ta shtyjnë Teheranin të vendosë që të rindërtojë aktivitetet e tij të ndjeshme bërthamore,” shtoi grupi.
Eric Lob, profesor në Universitetin Ndërkombëtar të Floridës, tha se reagimi i ardhshëm i Iranit mbetet i pasigurt dhe sugjeroi se hakmarrja mund të vijë përmes goditjeve ndaj “objektivave të butë” të SHBA-së dhe Izraelit brenda dhe jashtë rajonit.
Megjithatë, ai tha gjithashtu se ka një mundësi që Irani të rikthehet në tryezën e negociatave – “ndonëse në një pozitë edhe më të dobët” – ose të kërkojë një zgjidhje diplomatike.
Por menjëherë pas sulmeve amerikane, Irani tregoi pak gatishmëri për të bërë lëshime.
Organizata e Energjisë Atomike e Iranit deklaroi se nuk do të lejojë që “industria kombëtare” të ndalet, ndërsa një komentator në televizionin shtetëror iranian tha se çdo qytetar apo ushtar amerikan në rajon tani do të jetë objektiv i ligjshëm.
Të dielën në mëngjes, Ministria e Jashtme iraniane lëshoi një deklaratë duke paralajmëruar se “Teherani e konsideron të drejtën e tij të përgjigjet me të gjithë forcën ndaj agresionit ushtarak të SHBA-së.”
Karim Sadjadpour, analist në Fondacionin Carnegie për Paqen Ndërkombëtare, shkroi në X: “Trump sinjalizoi se tani është koha për paqe. Por është e paqartë dhe pak e mundshme që iranianët ta shohin kështu. Kjo me shumë gjasa do të hapë një kapitull të ri të luftës 46-vjeçare SHBA-Iran.”
Ndryshim regjimi?
Disa analistë sugjerojnë se Trump, i cili më parë e kishte mohuar qëllimin për të rrëzuar regjimin iranian, mund të përfshihet drejt një synimi të tillë nëse Irani kryen hakmarrje të mëdha ose përpiqet të ndërtojë një armë bërthamore.
Por kjo do të sillte rreziqe të tjera.
“Ruani kujdes nga rrëshqitja drejt synimeve për ndryshim regjimi dhe përpjekje për demokratizim,” tha Laura Blumenfeld nga Johns Hopkins University. “Në rërat e Lindjes së Mesme janë varrosur shumë misione të dështuara morale të SHBA-së.”
Jonathan Panikoff, ish-zv/drejtor i inteligjencës amerikane për Lindjen e Mesme, tha se drejtuesit e Iranit do të reagonin shpejt me “sulme të tepruara” nëse ndjejnë se ekzistenca e tyre është në rrezik.
Por edhe Teherani duhet të ketë parasysh pasojat. Veprime si mbyllja e ngushticës së Hormuzit do të shkaktonin rritje çmimesh nafte dhe pasoja inflacioniste për SHBA-në, por gjithashtu do të dëmtonin Kinën, një nga aleatët e paktë të fuqishëm të Iranit.
Njëkohësisht, Trump po përballet me kundërshtime të forta nga Demokratët në Kongres për sulmin ndaj Iranit dhe me kundërshtime nga krahu antindërhyrës i bazës së tij republikane MAGA.
Trump, i cili nuk u përfshi në ndonjë krizë të madhe ndërkombëtare gjatë mandatit të tij të parë, tashmë është përfshirë në një të tillë vetëm gjashtë muaj pas fillimit të mandatit të dytë.
Edhe nëse shpreson që angazhimi ushtarak i SHBA-së të jetë i kufizuar në kohë dhe qëllim, historia tregon se konflikte të tilla shpesh kanë pasoja të papritura për presidentët amerikanë.
Slogani i Trump “paqe përmes forcës” do të vihet në provë si kurrë më parë, sidomos pas hapjes së një fronti të ri ushtarak ndërkohë që ai ka dështuar të përmbushë premtimet për t’i dhënë fund shpejt luftërave në Ukrainë dhe Gaza.
“Trump është kthyer në biznesin e luftës,” tha Richard Gowan, drejtor i OKB-së në Grupin Ndërkombëtar të Krizave. “Nuk jam i sigurt që dikush në Moskë, Teheran apo Pekin e ka besuar ndonjëherë pretendimin e tij si paqebërës. Kjo gjithmonë është dukur më shumë si një slogan fushate sesa një strategji.”/Përshtati nga Reuters, ekofin.al
