Revista prestigjoze gjermane “Bild” e ka renditur Shqipërinë mes destinacioneve turistike që ia vlejnë për t’u vizituar në vitin 2025. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, nëpërmjet rrjeteve sociale ndau lajmin se nga janari në nëntor të vitit 2024, në vendin tonë hynë 356 mijë vizitorë nga Gjermania.
Revista në artikullin e saj ka në fokus rivierën shqiptare, si një risi që po shkëlqen në Mesdhe.
“Shqipëria nuk është më një këshillë sekrete, por në vitin 2025 do të bëhet një destinacion trend për të apasionuarit pas diellit dhe plazhit. Në Rivierën Shqiptare të tërheqin uji i kristaltë, gjiret e vogla dhe fshatrat bregdetare plot hijeshi si Ksamili dhe Himara. Ndryshe nga rajonet e mbipopulluara të Mesdheut, këtu mund të gjesh plazhe të qeta dhe të shijosh natyrën”, shkruan në hyrje të artikullit të saj revista “Bild”.
Vitin që lamë pas pati një rritje të konsiderueshme të turistëve nga Gjermania, ndërkohë që Shqipëria këtë vit do të ketë vendin e nderit në panairin më të madh të turizmit në Botë, ITB Berlin. Kjo do të jetë një mundësi për të promovuar më tej imazhin turistik të vendit dhe për të tërhequr edhe më shumë vizitorë gjermanë.
International Travel Trade Show (ITB) është ekspozita kryesore tregtare në botë e udhëtimeve dhe ofron një mundësi unike për të mësuar rreth vendeve dhe rajoneve të ndryshme në të gjithë globin të mbledhura në një vend të vetëm. /ekofin.al

