Bilanci i energjisë i publikuar nga INSTAT tregon se prodhimi në tërësi në 3-mujorin e tretë pësoi rritje. Gjithashtu vendi ynë vijoi eksportet të cilat në tremujorin e tretë të vitit u rritën me 2.3 herë në raport me vitin 2020.
“Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u rrit me 7,2 % duke arritur vlerën 1.371 GWh nga 1.280 GWh energji të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2020. Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 76,3 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 22,7 % dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 1,0 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e tretë të vitit 2021, arriti vlerën 975 GWh nga 666 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rritje me 46,5 %. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 323 GWh nga 139 GWh duke shënuar një rritje me 2,3 herë” thuhet në publikimin e INSTAT.
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2021, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 12,0 %
Sa i takon prodhimit hidrocentralet publike, në tremujorin e tretë të vitit 2021, prodhuan 1.047 GWh nga 978 GWh të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2020, duke shënuar kështu një rritje të prodhimit me 7,1 %.
Hidrocentralet private dhe koncensionare nga ana tjetër, prodhuan 311 GWh nga 292 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 6,7 %.
Sipas INSTAT shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në tremujorin e tretë të vitit 2021, ka pësuar një ndryshim me 23,7 % duke arritur vlerën negative prej 651 GWh, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020 ku kishte nje vlerë negative prej 527 GWh.
INSTAT vlerëson se humbjet në rrjet arritën vlerën 343 GWh nga 325 GWh duke shënuar kështu një rritje me 5,7 %. Humbjet në transmetim janë rritur me 16,7 % ndërsa humbjet në shpërndarje janë rritur me 4,3 %. Humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar një rritje me 7,8 %, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 2,2 %, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020.