Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), të cilës iu ngarkua detyrimi i sigurimit të furnizimit të vendit me energji elektrike në kushtet e emergjencës, ka pësuar një humbje financiare prej rreth 26 miliardë lekësh apo 256 milionë euro në vitin 2022.
Në raport me një vit më parë situata është krejtësisht e ndryshme pasi në vitin 2021 KESH regjistroi një fitim prej 6 miliardësh sipas të dhënave zyrtare të qeverisë në buxhetin faktik të vitit të shkuar. Kjo panoramë duket se lidhet me gjithë zhvillimet që solli kriza ku çmimet arritën nivele rekord duke kulmuar në gusht dhe ku një kwh energji u shit me 130 lekë.
Korporatës ju desh që përveç situatës aspak të favorshme hidrike të angazhohej në sigurimin e energjisë nga tregu i lirë ku importet kaluan vlerën e 500 milionë eurove dhe ku qeveria angazhoi mbështetje financiare disa herë gjatë vitit.
Ndryshe nga KESH që mbajti barrën e furnizimit dhe vendosjes së gjithë pjesës financiare në këtë kontekst dy kompanitë e tjetra të sektorit ia kanë dalë të regjistrojnë një bilanc pozitiv.
OSHEE e cila në vitin 2021 ishte me një humbje 15.5 miliardë lekë apo 149 milionë euro (pasi bënte blerjet për mbulimin e humbjeve, që në 2022 i realizoi KESH), gjatë vitit 2022 ka regjistruar një fitim prej 1.9 miliardë lekësh apo rreth 19 milionë euro.
Ndërkohë kompania tjetër Operatori i Sistemit të Transmetimit sipas të dhënave të bëra publike nga Financat regjistruan një fitim gati katër herë më të lartë sesa ajo në vitin 2021. Sipas tabelës që shoqëron buxhetin faktik futmi i OST ishte gati 4.5 milionë euro nga pak më shumë 1 milionë euro që ishte në vitin 2021.
