Policia Rrugore ka paralajmëruar ashpërsim të monitorimit dhe ndëshkimit të shkeljeve në rrugë, duke kaluar në një fazë të re kontrolli të qarkullimit përmes teknologjisë dhe monitorimit në kohë reale. Në një deklaratë për shtyp, Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë Dhimitraq Ziu, bëri të ditur se janë marrë masa shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore, ndërsa fokus i veçantë do të jetë evidentimi i sjelljeve agresive dhe shkeljeve me risk të lartë për jetën.
Sipas Policisë së Shtetit, janë kalibruar 22 mjete shpejtësimatëse dhe të gjitha strukturat e Policisë Rrugore janë pajisur me dronë, kamera, aparate fotografike, alkooltestues dhe drogëtestues. Në akset rrugore nacionale, patrullat nuk do të ndalojnë automjetet pa shkak, por monitorimi do të kryhet kryesisht nëpërmjet pajisjeve teknologjike dhe patrullave të lëvizshme.
Shkeljet e konstatuara nga mjetet logjistike do të kthehen në masa administrative që do të pasqyrohen në kohë reale në platformën e-Albania. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e patrullave do të bëhet vetëm në rastet kur evidentohen sjellje agresive, parakalime të rrezikshme, manovra të gabuara apo lëvizje me shpejtësi dy deri në trefish mbi normat e lejuara.
Policia Rrugore do të bashkëpunojë edhe me Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, me qëllim që shkeljet e regjistruara nga kamerat dhe sistemet e monitorimit të procedohen me masa administrative.
Ndërkohë, në qendrat urbane do të vijojnë kontrollet intensive për përdorimin e alkoolit, shpejtësinë, parakalimet e gabuara, përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe mosrespektimin e përparësisë së këmbësorëve. Në fokus do të jenë edhe parkimet e gabuara, ku do të përdoren edhe mjetet ngritëse për automjetet që bllokojnë korsitë e dedikuara apo lëvizjen e këmbësorëve.
Sipas analizës së Policisë Rrugore për 4-mujorin e parë të vitit 2026, megjithëse ka një përmirësim të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, aksidentet me pasoja të rënda vijojnë të mbeten shqetësuese. Autoritetet nënvizojnë se shkaqet kryesore mbeten të njëjta, ku dominon shpejtësia tej normave të lejuara.
Statistikat tregojnë se gjatë 4 muajve të parë të vitit janë arrestuar 1009 drejtues automjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Po ashtu, 82 100 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për tejkalim të shpejtësisë, ndërsa 27 mijë të tjerë për parakalime të gabuara.
Sipas Policisë, rreth 60 mijë drejtues mjetesh janë gjobitur për përdorim celulari gjatë drejtimit, mosvendosje të rripit të sigurimit apo drejtim motomjeti pa kaskë mbrojtëse. Ndërkohë, janë vendosur 160 mijë masa administrative për parkime të gabuara dhe 85 mijë të tjera për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Një tjetër tregues shqetësues lidhet me faktin se 815 drejtues automjetesh rezultojnë pa asnjë pikë në lejen e drejtimit dhe do t’i nënshtrohen testimit nga e para për të rifituar patentën.
Policia Rrugore theksoi gjithashtu se 33% e viktimave në aksidentet rrugore janë këmbësorë, drejtues motomjetesh dhe biçikletash, duke e konsideruar këtë një nga problematikat më serioze të sigurisë rrugore në vend.
Në deklaratë u sqarua edhe perceptimi i krijuar pas urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për mosndalimin pa shkak të automjeteve në akset nacionale. Sipas Policisë, ky urdhër nuk nënkupton tolerim të shkeljeve, por synon shmangien e ndalimeve të panevojshme dhe garantimin e qarkullimit të pandërprerë. Autoritetet theksojnë se çdo shkelje e dokumentuar me pajisje teknologjike do të ndëshkohet sipas Kodit Rrugor.

