Të dhënat e fundit të publikuara nga Instat tregojnë se në tremujorin e parë të vitit 2025, janë miratuar 258 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, duke shënuar një ulje prej 17,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur u miratuan 311 leje.
Sipërfaqja totale e parashikuar për ndërtimet në këtë tremujor, është 335.137 m², duke shënuar një ulje prej 6,3 %, në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2024 (357.585 m²).
Vlera e përafërt e projekteve të miratuara (që përfshin si ndërtesat ashtu edhe punimet inxhinierike) arriti në 20,1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 47,6 %, krahasuar me një vit më parë (13,6 miliardë lekë).
Ndërtimet për banim përbëjnë pjesën më të madhe të lejeve të reja, me 188 leje dhe sipërfaqe ndërtimi 215.418 m².
Ndërtesat jorezidente (si hotele, ndërtesa tregtare dhe industriale) zënë pjesën tjetër me 70 leje dhe 119.719 m² sipërfaqe.
Qarku i Tiranës mban peshën kryesore me 72 leje ndërtimi të reja dhe 201.237 m², ndonëse me rënie nga një vit më parë.
Rritje domethënëse e vlerës së projekteve ndërtimore u regjistrua në qarqet Durrës, Vlorë dhe Fier. /ekofin.al


