Muaji nëntor ka sjellë një tkurrje të lehtë të depozitave në banka, ku rënien më të madhe e kanë shënuar ato në valutë, ndërsa kursimet në lekë shënuan një rritje të lehtë.
Referuar të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, shuma totale e depozitave në nëntor 2024 vlerësohet në 1.3 trilionë Lekë, ose 0.04% më pak sesa në muajin paraardhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, depozitat u rritën me rreth 5%.
Depozitat në Lekë arritën në 605 miliardë, me një rritje prej 0.1%, ndërsa kursimet në valutë zbritën në 731 miliardë Lekë, ose rreth 0.2% më pak. Megjithatë luhatjet e vogla të muajit nëntor, depozitat në valutë vijojnë të përbëjnë shumicën e kursimeve të shqiptarëve, rreth 54.71%, ndërsa pjesa tjetër, 45.29% janë depozitat në lekë.
Performanca më e mirë e depozitave në monedhën vendase shpjegohet edhe me forcimin e mëtejshëm të saj gjatë vitit 2024. Pikërisht zhvlerësimi i Euros, i ka bërë depozitat në monedhën evropiane më pak të preferuara nga qytetarët dhe bizneset. /ekofin.al
