Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave, edhe pse ende paraprake, tregojnë se në fund të muajit mars totali i aktiveve të sektorit bankar kishte vlerën e 1.78 trilionë lekëve, rreth tre miliardë lekë më pak krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Megjithatë, me bazë vjetore krahasimi, sektori ngelet në rritje me përmasa dyshifrore, me 10.2% më shumë. Gjatë tremujorit të parë, sektori ka vijuar të rrisë kreditimin e ekonomisë dhe portofoli është zgjeruar me 18 miliardë lekë të tjera, por rënia ka ardhur nga grupet e tjera të aseteve.
Kontributi i bankave të veçanta në ndryshimin e totalit të aktiveve të sektorit gjatë tremujorit të parë ka qenë i ndryshëm. Rënia është përcaktuar kryesisht nga katër banka të sistemit, ndërsa pjesa tjetër e tyre kanë vijuar rritjen edhe gjatë tremujorit të parë.
Banka me rënien më të lartë ka qenë banka më e madhe në vend, BKT, që për tre muaj është tkurrur me gati 10 miliardë Lekë. Vijon Alpha Bank me 2.5 miliardë lekë rënie, e ndjekur nga Raiffeisen me 2.3 miliardë lekë aktive më pak dhe Banka Amerikane e Investimeve me 1.7 miliardë Lekë më pak.