21.286 persona humbën jetën gjatë vitit 2023, raporton INSTAT. Kjo shifër është 11.3% më pak sesa në vitin 2022. Shkaqet natyrore mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në vend, me 96.6%.
Megjithëse numri i vdekjeve ka patur një trend rënës, kjo edhe për shkak të zbehjes së mëtejshme të efekteve të pandemisë së COVID-19, që rriti ndjeshëm vdekjet në vitet 2020, 2021 dhe për pasojë edhe në vitin 2022, alarmant duket se është një tjetër tregues.
Grupsëmundja “Tumoret” përbën grupin e tretë të sëmundjeve me peshën më të madhe të vdekjeve të regjistruara, 15,7 % të vdekjeve gjithsej. Krahasuar me vitin 2022, janë regjistruar 3,2 % më shumë humbje jete, për shkak të tumoreve.
Sëmundjet “Tumor malinj i aparatit të tretjes” (38,0 %), “Tumor malinj i aparatit të frymëmarrjes” (22,2 %) dhe “Tumor malinj i organeve urogjenitale” (13,8 %) përbëjnë peshën më të madhe të vdekjeve në këtë grupsëmundje.
Më tej, referuar shkaqeve të vdekjeve, më kryesori vijon të jetë “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”që zënë peshën më të madhe në totalin e vdekjeve të regjistruara me 51,7 %. Krahasuar me vitin paraardhës, vdekjet nga kjo grupsëmundje kanë shënuar rënie me 15,9 %.
“Sëmundjet kronike të zemrës” (37,4 %), “Sëmundjet ishemike të zemrës” (24,4 %) dhe “Sëmundjet e enëve të trurit” (24,2 %) zënë peshën më të madhe të vdekjeve në grupsëmundjen “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”.
Grupsëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, përbën grupin e dytë me peshën më të lartë të vdekjeve (20,9 %). Vdekje nga pleqëria përbën 73,7 % të vdekjeve për këtë grupsëmundje. Ekofin.al


