Indeksi botëror i çmimeve të ushqimit të Kombeve të Bashkuara pësoi rënie në korrik sipas të dhënave të publikuara të premten, me një rënie të ndjeshme të indeksit për drithërat kompensuar pjesërisht nga rritjet për mishin, vajrat vegjetale dhe sheqerin.
Indeksi i çmimeve i Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë, i cili ndjek mallrat ushqimore më të tregtuara në nivel global, ishte mesatarisht 120.8 pikë në korrik, nga 121.0 në qershor. Leximi i qershorit u rishikua pasi fillimisht u dha si 120.6.
Ulja e çmimeve, sidomos atyre të drithërave, në nivel global nuk është reflektuar me ulje të çmimeve të miellit apo produkteve të tij, më së shumti bukës, në Shqipëri. Kjo nuk është hera e parë që kur çmimet bien në tregjet ndërkombëtare një gjë e tillë nuk reflektohet në vendin tonë.
Me nisjen e konfliktit në Ukrainë dhe rritjen e gjithanshme të çmimeve, furrat e bukës nxituan të rrisnin çmimet edhe në Shqipëri. Por tani që çmimet kanë rënë ndjeshëm, një gjë e tillë nuk po reflektohet, ku tashmë diferencat shkojnë si fitim ekstra për prodhuesit e bukës.
Indeksi i çmimeve të drithërave të FAO-s ra me 3.8% në nivelin më të ulët në gati katër vjet me çmimet globale të eksportit për të gjitha drithërat kryesore që ranë për të dytin muaj radhazi.
Para korrikut, indeksi i çmimeve të ushqimit të FAO-s ishte rritur për katër muaj rresht. Kjo pasi çmimet kishin rënë në shkurt në nivelin më të ulët të tre viteve të fundit. /Ekofin.al
