Nga Luçiana Sharra, guidë turistike e certifikuar
Hajmeli, një fshat i vogël në Bashkinë Vau i Dejës, në qarkun e Shkodrës, po kthehet në një destinacion udhëtimi sidomos gjatë periudhës së Krishtlindjes.
Këtë fundjavë, fshati gëlonte nga qindra njerëz që prisnin me padurim në radhë për të hyrë në Betlehemin e Gjallë. Në këtë prag Krishtlindjeje, banorët e famullisë së Hajmelit janë sërish aktorët që portretizojnë lindjen e foshnjës Jezu, rreth dymijë vjet më parë; një ngjarje e jashtëzakonshme për rutinën e përditshme të judenjve.
Sapo ushtarët romakë hapën dyert e drunjta, përpara u shfaq fshati, gardhi i rrethuar me thupra, mangallët e ndezur dhe rruga e ngarkuar me baltë. Duket si një mbrëmje e qetë, ku dëgjohet vetëm tringëllima e zileve të deleve dhe fyelli i bariut.
Vetëm pak hapa më tej, jehon thirrja e tregtarëve “blini patën time”, “tjegulla të mira për shtëpi, për borë edhe për shi”. Artizanët e moçëm, poçarët, kovaçët që rrahin hekurin, marangozët, endësit dhe tregtarët e pëlhurave ftojnë vizitorët në punishtet e tyre.
Në mes të këtyre thirrjeve vjen edhe një zë i mekur që pëshpërit: “Ki mëshirë për mua, Zot!” Janë lebrozët, të veçuar nga shoqëria, të shpërfillur, me dhimbjen e gdhendur në fytyrë dhe që luten për shërim e presin lëmoshë.
“Çezari kërkon taksën!”, është thirrja që na tregon se po i afrohemi Pallatit të Herodit, pasi hapet porta që ruhet nga romakët.
Atmosfera festive ndihet në aromën e mirë të petullave, bukës së sapodalë nga furra, shoqëruar me djathë, fruta të thata dhe verë shtëpie. Duar që gostisin vizitorët me një buzëqeshje dhe me urimin “Zoti ju rujt!”, “Për shumë vjet, gëzuar!”
Nga larg duket një dritë vezulluese. Në fusha barinjtë janë ulur me bagëtitë e tyre dhe ja, në hyrje të Betlehemit, engjëjt na dalin përpara me një lajm të gëzuar: “Ju njoftojmë me ngazëllim se sot në qytetin e Davidit, lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti”.
Turma e njerëzve drejtohet në një han të vogël, ku Maria, Jozefi dhe foshnja Jezu, mbështjellë në një djep, presin vizitat. Përkrah tyre edhe mbretërit dijetarë të ardhur nga larg nën drejtimin e një ylli, i japin dhuratat “mbretit të porsalindur” dhe e adhurojnë.
Pelegrinazhi mbyllet me lutjen “Ati ynë që je në qiej” dhe me një ftesë për t’u kthyer sërish.
Dalim nga porta e Hajmelit, këtij fshati të vogël, që përcolli një ngjarje të madhe me plot pasion, gëzim edhe mikpritje.
Sepse të jesh i vogël, nuk do të thotë të jesh i parëndësishëm, sikurse thotë edhe profecia: “Dhe ti, Bethlehem, tokë në Jude, nuk je aspak më e parëndësishmja ndër princat e Judesë, sepse nga ti do të dalë një prijës, që do të jetë bariu i popullit tim …” /ekofin.al