Besimi në ekonominë shqiptare shënoi një përmirësim të lehtë gjatë muajit shtator, i mbështetur kryesisht nga një rritje e fortë e optimizmit në sektorin e ndërtimit dhe nga përmirësimi i perceptimit të konsumatorëve.
Sipas Vrojtimit të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit, publikuar sot nga Banka e Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) u rrit me 0.3 pikë gjatë shtatorit. Pavarësisht lëvizjes së kufizuar mujore, niveli i tij mbetet 7.8 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Ecuria e sektorëve, megjithatë, ishte e diferencuar. Ndërtimi regjistroi një përmirësim të ndjeshëm, ndërsa industria, shërbimet dhe tregtia shënuan rënie të besimit.
Ndërtimi shënon rritjen më të fortë
Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 6.6 pikë përqindje në shtator dhe tashmë qëndron 18 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Përmirësimi erdhi si nga vlerësimet më pozitive për aktivitetin aktual ndërtues, ashtu edhe nga kontratat porositëse. Bizneset e sektorit presin gjithashtu rritje të çmimeve në të ardhmen.
Të dhënat më të detajuara tregojnë se balanca për aktivitetin ndërtues gjatë tre muajve të fundit u rrit nga 9.4 pikë në gusht në 14.5 pikë në shtator. Edhe balanca e kontratave porositëse u përmirësua ndjeshëm, nga -23.4 në -15.4 pikë. Pritjet për punësimin u rritën nga 11.7 në 13.7 pikë, ndërsa ato për çmimet nga 11 në 14.7 pikë.
Industria, rënia më e fortë e muajit
Në kahun tjetër, industria regjistroi përkeqësimin më të madh. Treguesi i besimit të industrisë ra me 3.8 pikë përqindje, kryesisht për shkak të vlerësimeve dukshëm më të dobëta për prodhimin industrial.
Megjithatë, treguesi mbetet rreth 3 pikë përqindje mbi mesataren historike. Pritjet për punësimin u përmirësuan, ndërsa bizneset presin rënie të çmimeve të produkteve.
Rënia e perceptimit për prodhimin është e dukshme edhe në të dhënat e vrojtimit: balanca për prodhimin gjatë tre muajve të kaluar zbriti nga 20.5 pikë në gusht në vetëm 9.5 pikë në shtator. Nga ana tjetër, pritjet për prodhimin e ardhshëm u rritën nga 23.4 në 31.2 pikë.
Më pak optimizëm në shërbime dhe tregti
Besimi në sektorin e shërbimeve ra me 2.4 pikë përqindje. Banka e Shqipërisë e lidh këtë lëvizje me vlerësime më pak optimiste për kërkesën aktuale dhe ecurinë e aktivitetit. Edhe pritjet për punësimin u rishikuan në rënie, ndërsa pritjet për çmimet u rritën.
Pavarësisht rënies mujore, treguesi i shërbimeve vazhdon të qëndrojë rreth 5 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë.
Edhe tregtia humbi terren. Treguesi i besimit në këtë sektor ra me 1.8 pikë përqindje, por vijon të jetë rreth 10 pikë mbi mesataren historike. Rënia lidhet me vlerësime më të dobëta për ecurinë aktuale të biznesit dhe me pritje më të ulëta për punësimin.
Konsumatorët bëhen më optimistë
Sinjali tjetër pozitiv i shtatorit vjen nga konsumatorët. Treguesi i besimit konsumator u rrit me rreth 2.3 pikë përqindje dhe arriti rreth 5 pikë mbi mesataren historike.
Përmirësimi ishte i shpërndarë në të gjithë komponentët kryesorë. Konsumatorët dhanë vlerësime më pozitive për situatën e tyre financiare në të ardhmen, për perspektivën ekonomike të vendit, si edhe për blerjet e mëdha aktuale dhe të ardhshme. Në të njëjtën kohë, pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve u rishikuan për poshtë.
Veçanërisht sinjalizuese është ecuria e blerjeve në shuma të mëdha. Balanca për blerjet aktuale u përmirësua nga -59.4 pikë në gusht në -55.8 pikë në shtator, ndërsa ajo për blerjet e ardhshme nga -40.4 në -39.3 pikë. Edhe pritjet për kursimin u përmirësuan, nga -37.3 në -33.6 pikë.
Gjendja financiare përkeqësohet në tre sektorë
Të dhënat tremujore japin një tablo më të përzier për bizneset. Në tremujorin e tretë, shfrytëzimi i kapaciteteve u rrit me 1.2 pikë përqindje në ndërtim, por ra me 0.6 pikë në industri, 0.8 pikë në shërbime dhe 0.9 pikë në tregti.
Edhe më e fortë është diferenca në perceptimin për gjendjen financiare. Treguesi u përmirësua me 2.8 pikë në ndërtim, ndërsa ra me 2.2 pikë në shërbime, 5.9 pikë në industri dhe me 13 pikë përqindje në tregti. /ekofin.al
