Ekonomia shqiptare e ka mbyllur vitin 2025 me një ritëm më të moderuar rritjeje, por në një mjedis makroekonomik të qëndrueshëm, vlerëson Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Raportin e Tranzicionit 2025–2026, i cili prezantohet sot i plotë në Bankën e Shqipërisë. Sipas raportit, rritja ekonomike në gjysmën e parë të vitit 2025 u mbështet kryesisht nga shërbimet, ndërtimi, konsumi qeveritar dhe flukset rekord të investimeve të huaja direkte (FDI), ndërsa industria dhe bujqësia shënuan tkurrje.
Rritje më e ulët, e mbështetur nga shërbimet dhe ndërtimi
Pas një rritjeje prej 4.0% në vitin 2024, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me rreth 3.6% në bazë vjetore në gjysmën e parë të 2025-ës. Turizmi dhe aktivitetet e lidhura me të, së bashku me tregun e pasurive të paluajtshme dhe sektorin e ndërtimit, ishin motorët kryesorë të rritjes. Në të kundërt, industria dhe bujqësia u goditën nga rritja e kostove të prodhimit dhe nga forcimi i monedhës vendase, që uli konkurrueshmërinë e eksporteve dhe çoi edhe në mbylljen e disa fabrikave.
Nga ana e kërkesës, rritja ekonomike ishte relativisht e balancuar, e mbështetur si nga konsumi publik, ashtu edhe nga eksportet e mallrave dhe shërbimeve. Deficiti i llogarisë korrente u ngushtua lehtë, ndërsa investimet e huaja direkte arritën nivel rekord prej 759 milionë eurosh vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025, të përqendruara kryesisht në ndërmjetësimin financiar dhe pasuritë e paluajtshme.
Inflacion i ulët dhe politika monetare më lehtësuese
Raporti thekson se stabiliteti makroekonomik mbetet një pikë e fortë për Shqipërinë. Inflacioni zbriti në rreth 2.4% në shtator 2025, nën objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Në këtë kontekst, banka qendrore uli normën bazë në 2.5%, për herë të tretë që nga vera e vitit 2024.
Në të njëjtën kohë, rritja e shpejtë e kreditimit nxiti Bankën e Shqipërisë të forcojë masat makroprudenciale, duke rritur tamponin kundërciklik të kapitalit. Konsolidimi fiskal ka vijuar, falë përmirësimit të mbledhjes së të ardhurave tatimore, megjithëse rritja e pagave në sektorin publik ka ushtruar presion mbi shpenzimet. Paga mesatare reale bruto mujore u rrit me mbi 9% në gjysmën e parë të vitit, ndërsa paga minimale pritet të rritet në 500 euro nga janari 2026.
Ngadalësim i pritshëm, por perspektivë pozitive afatmesme
Sipas BERZH-it, rritja ekonomike pritet të mbetet rreth 3.5% në vitet 2025 dhe 2026, më e ulët se në vitin 2024. Faktorët frenues lidhen kryesisht me kërkesën e dobët nga eurozona, rritjen e kostove të punës dhe mbiçmimin e lekut, që dëmtojnë konkurrueshmërinë. Megjithatë, reformat strukturore, përparimi në procesin e integrimit europian dhe fondet e mundshme nga Bashkimi Europian mbeten faktorë mbështetës për rritjen ekonomike.
Përparim i shpejtë drejt BE-së, por me sfida të hapura
Raporti evidenton përparimin e konsiderueshëm të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Pas hapjes së kapitujve të parë në tetor 2024, vendi arriti të hapë të gjithë kapitujt negociues gjatë vitit 2025. Janë shënuar përmirësime në fushën e luftës kundër pastrimit të parave, në sistemin gjyqësor dhe në sektorin energjetik.
Megjithatë, BERZH thekson se mbeten sfida të rëndësishme, veçanërisht në funksionalizimin e plotë të mekanizmave për rikuperimin e aseteve dhe në miratimin e legjislacionit të ri për koncesionet dhe partneritetet publike-private (PPP), të cilat konsiderohen kyçe për menaxhimin e rreziqeve fiskale.
Lufta kundër korrupsionit dhe reformat institucionale
Miratimi i Strategjisë së re Antikorrupsion 2024–2030 vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt një qasjeje më të koordinuar dhe në përputhje me standardet e BE-së. Strategjia, së bashku me planin e veprimit 2024–2026, synon forcimin e bashkëpunimit institucional dhe rritjen e efektivitetit të strukturave antikorrupsion, me SPAK-un dhe procesin e vetingut si shtylla kryesore të zbatimit.
Integrimi financiar, digjitalizimi dhe banka e zhvillimit
Raporti ndalet edhe te anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, që nga fundi i vitit 2024, duke e cilësuar atë si një hap domethënës për integrimin financiar europian. Po ashtu, përparimi në Axhendën Digjitale dhe miratimi i ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, të harmonizuar me GDPR-në, konsiderohen zhvillime pozitive.
Nga ana tjetër, krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit me kapital fillestar 100 milionë euro shihet si një instrument potencial për mbështetjen e SME-ve dhe sektorëve të nënfinancuar, por BERZH shpreh rezerva lidhur me modelin e saj, veçanërisht për faktin se banka do të ketë të drejtën të pranojë depozita, një praktikë jo tipike për bankat zhvillimore. /ekofin.al

