“Dua te luaj”, është projekti i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, që synon krijimin e një hapësire publike me cilësi të lartë dhe kushte gjithëpërfshirëse për të mundësuar ringjalljen e jetës komunitare dhe konsolidimin e frymës së komunitetit aktiv të qytetit të Beratit.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë foto nga projekti i kompleksit të fushave që do të ndërtohen në Berat, pjesë e programit të ri kombëtar.
“Kompleks i fushave që do të ndërtohen në Berat, pjesë e programit të ri kombëtar të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, “Dua të luaj”, shprehet Rama në rrjetet sociale.
Nëpërmjet këtij programi, FSHZH synon rritjen e mirëqenies së komunitetit dhe dhënien e mundësisë për zhvillimin motorik të brezave të rinj.
Projekti do të zbatohet në hapësira publike të destinuara për parqe në zonat e banuara në të gjithë territorin e vendit.
Ndërhyrjet në kuadër të këtij projekti konsistojnë kryesisht në projektimin e hapësirave të propozuara në bazë të kushteve arkitektonike dhe natyrore, me qëllim shfrytëzimin sa më të mirë të hapësirave në vendndodhjen e përcaktuar; ndërtimin e këndeve që mundësojnë zhvillim të aftësive motorike të fëmijëve të moshave të ndryshme, dhe që aksesohet nga të gjithë; rimodelimin apo përmirësimin e këndeve të lojërave ekzistues të degraduar, me qëllim rritjen e aksesit dhe bashkëveprimin me elementet natyrorë; si dhe krijimin e infrastrukturave të cilat ndikojnë në sigurinë për grupmoshat 0-14 vjeç, si psh. sinjalistikë në infrastrukturën rrugore, barriera dhe hapësira urbane rrethuese në këndet ekzistuese,etj. Mungesa parqeve, lojrave apo zonave sportive është kthyer në problem për qytetarët, sidomos në zona me densitet të lartë urban.
