Bashkimi Europian i ka bërë apel kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç që ta pranojnë pa kushte ftesën e bllokut për të marrë pjesë në takimin e krizës në Bruksel. Ka qënë zyrtari i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell, ai që e bëri këtë ftesë në mesin e përshkallëzimit të tensioneve mes dy vendeve. Ajo mbërriti së bashku me paralajmërim se shpërfillja dhe refuzimi mund të ketë pasoja për Prishtinën e Beogradin.
Zëdhënësi i BE, Peter Stano, në një deklaratë sqaroi se iniciativa e Borellit synon “gjetjen e një rrugëdaljeje nga kriza dhe mënyrat për rikthimin në tryezën e dialogut”.
“Data nuk është caktuar ende sepse palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Borrell pret një sjellje më të përgjegjshme nga dy liderët. BE kërkon që ata të vijnë pa kushtëzime. Blloku europian po e ndjek me kujdes situatën për të parë nëse palët janë të gatshme për gjetjen e një zgjidhjeje”, tha Stano.
Sipas Stanos, kjo ftësë është një mundësi që u ofrohet palëve per të ulur tensionet dhe jo për të kënaqur Brukselin.
