BE-ja kërkon që qytetarët të kenë më shumë mënyra për të siguruar një të ardhur të mjaftueshme në pleqëri, ndërsa njëkohësisht të drejtojnë një pjesë të kursimeve të tyre drejt prioriteteve strategjike të bllokut, por pensionet shtetërore do të mbeten “shtylla kurrizore e sistemeve të pensioneve në Evropë”.
Bashkimi evropian po u bën thirrje vendeve anëtare të rrisin skemat private të pensioneve, pasi fondet shtetërore po përballen me presion për shkak të plakjes së popullsisë.
Si pjesë e kësaj nisme, Komisioni Evropian po propozon një qasje të dyfishtë: t’u japë qytetarëve më shumë mundësi për të ndërtuar një të ardhur “të mjaftueshme” pensioni dhe të mobilizojë deri në 10 trilionë euro depozita bankare në të gjithë bllokun për të mbështetur prioritetet strategjike të BE-së – veçanërisht mbrojtjen dhe sigurinë, si dhe tranzicionin digjital dhe atë të gjelbër.
“Pensionet plotësuese, si skemat profesionale apo ato personale, i ndihmojnë europianët të ruajnë standardin e jetesës dhe të forcojnë qëndrueshmërinë e tyre ekonomike,” deklaroi të enjten komisionerja për shërbimet financiare, Maria Luís Albuquerque.
Megjithatë, ajo theksoi gjithashtu se këto skema plotësuese nuk synojnë të zëvendësojnë ato të financuara nga shteti.
Zhvendosja e barrës
Pensionet shtetërore në shumicën e vendeve të BE-së funksionojnë sipas parimit “paguaj-ndërsa-shkon”, që do të thotë se punonjësit aktualë financojnë pensionistët aktualë.
Me uljen e popullsisë në moshë pune dhe rritjen e punësimit jo-standard, qytetarët në disa vende anëtare nuk kanë më garanci për të siguruar një pension të mjaftueshëm në të ardhmen, veçanërisht gratë. Hendeku gjinor i pensioneve – diferenca mes të ardhurave mesatare të pensionit për burrat dhe gratë – ka arritur në 24.5%.
“Ne duam të inkurajojmë më shumë njerëz të kursejnë për pensionin e tyre dhe t’ua bëjmë më të lehtë ta bëjnë këtë,” u shpreh Albuquerque, duke iu referuar përpjekjeve të Komisionit për të rritur përdorimin e produkteve pensionale plotësuese.
Komisionerja argumentoi se roli i skemave profesionale dhe personale të pensioneve mbetet “shumë i kufizuar” dhe i pabarabartë në të gjithë bllokun.
Vetëm 20% e europianëve marrin pjesë në skema profesionale pensioni dhe vetëm 18% zotërojnë një produkt personal pensioni, sipas Autoritetit Europian të Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale.
“Realiteti është se aktualisht nuk është e lehtë për europianët të kuptojnë se çfarë përfitimesh do të marrin kur të dalin në pension,” tha Albuquerque.
Përveç mungesës së informacionit të qartë, Komisioni ka identifikuar edhe një pengesë tjetër: të ashtuquajturin “efekti i shtyrjes”.
Gjatë një informimi në Bruksel, një zyrtar i BE-së u tha gazetarëve se njerëzit priren të shtyjnë detyrat që nuk i kuptojnë – përfshirë planifikimin e pensionit. “Këtë e shohim edhe me pensionet dhe me vetë njerëzit,” tha ai.
Për ta adresuar këtë, Komisioni rekomandon që qeveritë kombëtare të krijojnë mjete online dhe sisteme ndjekjeje që t’u ndihmojnë qytetarëve të kuptojnë përfitimet e pritshme, sa kanë kursyer deri tani dhe gjendjen e përgjithshme të pensioneve të tyre.
Komisioni gjithashtu po nxit futjen e regjistrimit automatik, që do të thotë se punonjësit do të përfshihen automatikisht në skemat plotësuese të pensioneve, por do të kenë të drejtën të çregjistrohen nëse duan.
“Regjistrimi automatik ndihmon për të kapërcyer prirjen natyrore për të shtyrë vendimet për vitet e pensionit, duke siguruar që më shumë njerëz të nisin kursimin më herët dhe në mënyrë më të qëndrueshme, ndërsa respektohet plotësisht zgjedhja individuale,” tha Albuquerque.
Disa shtete anëtare e përdorin tashmë këtë sistem, dhe Komisioni thotë se provat tregojnë se individët priren të qëndrojnë të regjistruar sapo futen në skemë.
Megjithatë, këto masa janë vetëm rekomandime, pasi BE-ja ka kompetenca të kufizuara në këtë fushë.
“Nuk mund të bëjmë gjithçka nga Brukseli, por ka shumë gjëra që janë në duart e shteteve anëtare,” tha i njëjti zyrtar i BE-së. “U takon shteteve anëtare t’i zbatojnë rekomandimet, dhe ky duhet të jetë një proces bashkëpunimi me to.”
Rekomandimet janë pjesë e një plani më të gjerë të publikuar në mars, i njohur si Unioni i Kursimeve dhe Investimeve, i cili synon të kanalizojë deri në 10 trilionë euro depozita bankare drejt investimeve strategjike të BE-së.
