Shqipëria ka shënuar rezultate mbresëlënëse në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Rritjes, pjesë e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, duke realizuar 21 nga 41 masat e planifikuara, që përbëjnë rreth 51% të objektivave për periudhën dhjetor 2024 – qershor 2025.
Ky progres e ka renditur vendin si performuesin më të mirë në rajon, duke i mundësuar Komisionit Evropian të miratojë disbursimin e 99,3 milionë eurove në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje.
Vendimi u shpall nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Tiranë, dhe tregon se Shqipëria ka ndërmarrë reforma të qëndrueshme në fusha kyçe si energjetika, digjitalizimi, konkurrueshmëria, zhvillimi i gjelbër dhe integrimi ekonomik.
Këto fonde do të përdoren për të forcuar institucionet publike dhe për të stimuluar rritjen ekonomike.
Në detaje, 46,2 milionë euro do të kalojnë si mbështetje buxhetore direkte për zbatimin e reformave, ndërsa 54,1 milionë euro (nga të cilat 28,5 milionë janë grante dhe 24,6 milionë kredi) do të shkojnë për projekte infrastrukturore përmes Kornizës së BE-së për Investime në Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Sipas ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, këto rezultate tregojnë se Plani i Rritjes së BE-së po jep fryte konkrete në Shqipëri, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët. Ai shtoi se tashmë sistemi bankar shqiptar ka adoptuar standardet SEPA, duke ulur kostot e pagesave ndërkombëtare, ndërsa tarifat roaming me vendet e BE-së do të hiqen gjatë vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, Eridana Cano, Koordinatore Kombëtare e Instrumentit për Reforma dhe Rritje, theksoi se këto rezultate tregojnë një rritje të kapaciteteve institucionale, bashkëpunim efektiv me Komisionin Evropian dhe transparencë më të madhe në proceset e reformave – elementë thelbësorë për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Instrumenti për Reforma dhe Rritje ka një cikël raportimi çdo gjashtë muaj. Raporti i ardhshëm i Shqipërisë pritet të dorëzohet në fillim të vitit 2026, dhe në bazë të progresit të ri do të bëhet disbursimi tjetër i fondeve në pranverën e 2026-s.
Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, i prezantuar në vitin 2023, synon të përshpejtojë afrimin ekonomik të rajonit me BE-në, duke ofruar mbështetje financiare prej 6 miliardë eurosh – nga të cilat 1 miliard euro janë parashikuar për Shqipërinë në periudhën 2024–2027.
Ky plan mbështet reforma në energji, digjitalizim, sundim të ligjit, konkurrueshmëri dhe zhvillim të kapitalit njerëzor, duke përgatitur vendet e rajonit për integrim të plotë në tregun e përbashkët evropian.

