Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë organizoi në Shkodër një aktivitet në kuadër të projektit “EU 4 Municipalities” (BE për Bashkitë).
Aktiviteti në Shkodër shënoi një moment të rëdësishëm të mbështetjes së BE-së për qeveritë vendore të Shqipërisë.
Me mbi 2.5 milionë euro të investuara në 19 bashki, ky program ka ndihmuar në përmirësimin e shërbimeve lokale, duke numëruar rreth 50,000 qytetarë përfitues, shumica të rinj.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato u shpreh i lumtur për shpalljen e një fazë të re me një buxhet të katërfishuar prej 10 milionë euro, që synon nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjen e cilësisë së jetës për të gjithë shqiptarët.
“Qeveritë vendore janë aktorët kryesorë në procesin e integrimit në BE pasi ato krijojnë dhe menaxhojnë një pjesë të madhe të hapësirave dhe shërbimeve publike që përcaktojnë cilësinë e jetës së shqiptarëve si qytetarë të ardhshëm të BE-së”, theksoi ai.
“Në Shkodër diskutuam se si projektet konkrete të zhvillimit të financuara nga BE – në pronësi të komuniteteve lokale me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e tyre të përditshme – kanë përparuar deri tani. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të ndihmojë bashkitë shqiptare që të jenë në gjendje të marrin më shumë fonde të BE-së në mënyrë gjithëpërfshirëse duke u angazhuar me shoqërinë civile, sipërmarrësit, grupet rinore dhe komunitetet lokale”, nënvizoi ambasadori Gonzato.
Falë 23 ndërtesave publike lokale të rehabilituara nga programi BE për Bashkitë, qytetarët tani mund të mbështeten në 68 shërbime bashkiake të modernizuara dhe të përmirësuara, nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejtë 49.332 anëtarë të komunitetit lokal, nga të cilët 32.787 janë të rinj.
BE për Bashkitë është nisma e parë e BE-së në Shqipëri që ofron mundësi financiare për investime ekskluzivisht për bashkitë.
BE për Bashkitë është projekt i ri i financuar nga Bashkimi Evropian. Qëllimi tij është të mbështesë potencialin zhvillimor të bashkive dhe të përmirësojë kushtet socio-ekonomike dhe mjedisore të komuniteteve lokale në Shqipëri.

