Në Shqipëri, sfidat në cilësinë e arsimit mbeten të dukshme dhe të ndërlidhura me faktorë që nisin që nga arsimi parashkollor e deri në sjelljet digjitale të të rinjve. Nxënësit shqiptarë kalojnë më pak kohë në shkollë krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre në vendet e Bashkimit Evropian, çka ndikon drejtpërdrejt në rezultatet e të nxënit. Sipas vlerësimeve ndërkombëtare (TIMSS dhe PIRLS), orët mësimore në Shqipëri janë rreth 17 % më të pakta se mesatarja e BE-së, duke sjellë humbje të krahasueshme me 0.6–0.8 vite shkollimi. Kjo diferencë ndikon më shumë te vajzat, ndërsa rezultatet e tyre në testet ndërkombëtare mbeten nën nivelet e vendeve të BE-së.
Sipas raportit të Bankës Botërore, pavarësisht përparimeve në vite, pjesëmarrja në arsimin parashkollor në Shqipëri mbetet e ulët krahasuar me standardet europiane. Ndërsa vetëm 5 % e fëmijëve në BE nuk ndjekin kopshtin, përqindja në Shqipëri është shumë më e lartë. Ajo që shqetëson më tej është fakti se, ndryshe nga prirjet normale, nxënësit shqiptarë që kanë ndjekur parashkollorin rezultojnë me nota më të ulëta në testin PISA në moshën 15-vjeçare, sesa ata që nuk e kanë ndjekur.
Kjo përmbysje tregon se përfitimet e hershme të arsimit parashkollor nuk po shfrytëzohen në fazat pasuese të arsimit, duke sugjeruar nevojën për reforma në metodat e mësimdhënies dhe në lidhjen ndërmjet niveleve arsimore.
Mbipërdorimi i smartfonëve: një kërcënim për të nxënit dhe mirëqenien
Në mesin e 15-vjeçarëve shqiptarë, përdorimi i telefonave inteligjentë është pothuajse universal dhe një nga më të lartët në rajon. Sipas analizave, mbipërdorimi i smartfonëve lidhet me humbje të ndjeshme në performancën akademike, afërsisht e barabartë me një vit mësimi në rezultatet e matematikës, ndërsa ndikimi negativ në rezultatet e leximit është rreth 20 % më i lartë.
Përveç ndikimit në arritje, mbipërdorimi shoqërohet me rritje të rasteve të ankthit, depresionit dhe varësisë digjitale, veçanërisht te vajzat adoleshente. Eksperiencat ndërkombëtare tregojnë se ndalimi i telefonave në shkolla nuk ka dhënë rezultate të qëndrueshme, duke nxitur nevojën për politika më inteligjente që promovojnë përdorim të shëndetshëm dhe edukim digjital.
Për Shqipërinë, përmirësimi i cilësisë së arsimit është thelbësor për të përballuar rënien demografike dhe për të ruajtur standardet e jetesës. Sipas Bankës Botërore, një vit shtesë shkollimi mund të rrisë të ardhurat gjatë jetës me rreth 4.5 %. Rritja e rezultateve të PISA-s me 20-25 pikë përkthehet në fitime të barasvlershme me një vit arsimimi shtesë, çka nënvizon se investimi në arsim nuk është vetëm një çështje sociale, por edhe një strategji ekonomike për rritje afatgjatë dhe konvergjencë me vendet e BE-së.
Në thelb, për Shqipërinë sfida nuk është vetëm zgjerimi i aksesit në arsim, por përmirësimi i cilësisë së tij në çdo faze: nga kopshti te arsimi i mesëm dhe ndërtimi i një kulture të re mësimi që përfshin displinën, teknologjinë e shëndetshme dhe motivimin për të mësuar gjatë gjithë jetës. /ekofin.al
