Bashkitë e mbyllën vitin 2025 me rritje të ndjeshme të shpenzimeve krahasuar me vitin 2024, por një pjesë e madhe e buxhetit vendor u realizua në fund të vitit, duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e planifikimit dhe eficiencën e përdorimit të fondeve publike.
Sipas Raportit Vjetor 2025 për Financat Publike Vendore, pushteti vendor realizoi gjatë vitit rreth 87.8 miliardë lekë shpenzime, ose rreth 97% të planit vjetor. Në raport me planin, bashkitë shpenzuan rreth 3.1 miliardë lekë më pak nga sa ishte parashikuar, ndërsa krahasuar me vitin 2024, shpenzimet u rritën me rreth 13.4 miliardë lekë, ose 17.9%.
Në pamje të parë, kjo tregon një zgjerim të rolit financiar të pushtetit vendor dhe më shumë fonde të orientuara drejt shërbimeve publike vendore. Por raporti dikton një problem të rëndësishëm në mënyrën se si këto shpenzime janë shpërndarë gjatë vitit. Vetëm gjatë dy muajve të fundit të vitit 2025, bashkitë realizuan rreth 21.4 miliardë lekë shpenzime, që përbëjnë 24.4% të totalit vjetor të shpenzimeve të pushtetit vendor.
Natyrshëm lind dyshimi se një ritëm i tillë rrit edhe rrezikun që fondet publike të përdoren me eficiencë më të ulët, sidomos kur një pjesë e madhe e tyre realizohet në një periudhë shumë të shkurtër kohore.
Pesha e dhjetorit është veçanërisht e lartë. Nga të dhënat e raportit rezulton se vetëm në muajin dhjetor janë realizuar rreth 14.4 miliardë lekë shpenzime, ose 16.4% e totalit të shpenzimeve vendore për të gjithë vitin 2025. Kjo do të thotë se gati një e gjashta e buxhetit vjetor të shpenzimeve vendore është ekzekutuar vetëm në muajin e fundit të vitit.
Ky model shpenzimi është i rëndësishëm për t’u analizuar, pasi buxheti vendor lidhet drejtpërdrejt me shërbimet që marrin qytetarët në nivel lokal, nga infrastruktura, pastrimi dhe mirëmbajtja, deri te arsimi, shërbimet sociale dhe funksionet administrative. Kur shpenzimet përqendrohen në fund të vitit, rritet rreziku që projektet të mos ndjekin një ritëm të qëndrueshëm zbatimi gjatë gjithë vitit dhe që vendimmarrja buxhetore të kushtëzohet nga nevoja për të realizuar fondet para mbylljes së vitit fiskal.
Struktura e shpenzimeve tregon se pjesa më e madhe e buxhetit vendor është orientuar drejt funksioneve “Çështje ekonomike” dhe “Shërbime të përgjithshme publike”, të cilat zënë përkatësisht 23.3% dhe rreth 20% të totalit të shpenzimeve. Ndërkohë, funksionet që patën rritjen më të fortë gjatë vitit 2025 ishin “Mbrojtja Sociale”, me 27% më shumë, dhe “Arsimi”, me rreth 22% më shumë. I vetmi funksion me rënie ishte “Argëtim, Kultura dhe Feja”, me rreth 7% më pak.
Në nivel bashkish, raporti evidenton se vetëm Bashkia Tropojë regjistroi rënie të shpenzimeve në vitin 2025 krahasuar me një vit më parë, me rreth 6%, ndërsa të gjitha bashkitë e tjera shënuan rritje. Rritjet më të forta u regjistruan në Bashkinë Himarë, me 133%, dhe në Bashkinë Divjakë, me 53%.
Përqendrimi i shpenzimeve në muajt e fundit vjen në një vit kur buxheti vendor pati zgjerim të ndjeshëm. Në raport me ekonominë, shpenzimet e pushtetit vendor arritën në 3.32% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe 10.95% të totalit të shpenzimeve publike. Krahasuar me vitin paraardhës, pesha e buxhetit vendor u rrit me 0.74 pikë përqindje ndaj shpenzimeve publike dhe me 0.37 pikë përqindje ndaj PBB-së. /ekofin.al


