Bashkitë kanë shlyer detyrimet e vendimeve gjyqësore, ndërkohë që kanë akumuluar më tej borxhe te investimet.
Në total, stoku i detyrimeve të qeverisjes vendore ka shënuar ulje nga marsi në qershor 2025, sipas të dhënave zyrtare. Totali zbriti nga 4.16 miliardë lekë në mars, në 3.59 miliardë lekë në qershor 2025, duke reflektuar shlyerje të konsiderueshme të borxheve.
Ulja më e madhe u regjistrua te vendimet gjyqësore, të cilat ranë nga 995.3 milionë lekë në mars në vetëm 360.4 milionë lekë në qershor, një diferencë prej mbi 630 milionë lekësh. Ky zhvillim tregon përmbylljen e disa detyrimeve të prapambetura që kishin rënduar mbi financat vendore.
Nga ana tjetër, investimet e papaguara shënuan rritje, duke kaluar nga rreth 1.1 miliardë lekë në mars në 1.25 miliardë lekë në qershor. Ky ndryshim sugjeron se bashkitë po orientohen më shumë drejt projekteve zhvillimore, edhe pse pjesa më e madhe e shpenzimeve vijon të mbetet e lidhur me detyrime të tjera të akumuluara.
Shpenzimet për shërbime dhe mallra kanë pësuar një ulje të lehtë, ndërsa zëri “Të tjera” mbeti pothuajse i pandryshuar, duke ruajtur nivelin mbi 1 miliard lekë.
Bashkia Tiranë dhe Kavajë kryesojnë stokun e detyrimeve
Në nivel bashkish, Tirana dhe Kavaja përbëjnë peshën kryesore të stokut të detyrimeve:
Bashkia Tiranë ka detyrime totale prej 832.7 milionë lekësh, të ndara kryesisht mes investimeve (276.3 mln lekë), vendimeve gjyqësore (105.7 mln lekë) dhe një shume të madhe te zëri “Të tjera (438.3 mln lekë)”.
Bashkia Kavajë renditet menjëherë pas me 724.1 milionë lekë detyrime, ku spikat gjithashtu zëri “Të tjera (432.7 mln lekë)”, ndjekur nga shërbimet (160.3 mln lekë) dhe investimet (63.1 mln lekë).
Në grupin e bashkive me detyrime të larta përfshihen edhe: Pogradeci me 263.9 mln lekë, Dimal me 171.1 mln lekë, Rrogozhina me 161.0 mln lekë.
Këto bashki kanë borxhe të përqendruara kryesisht në shërbime, investime dhe te zëri i paqartë “Të tjera”, i cili në shumë raste përfaqëson pjesën më të madhe të stokut të detyrimeve./ekofin.al

