Bashkitë shqiptare do të konkurrojnë gjatë vitit 2026 për një fond prej 250 milionë lekësh, i cili do të shpërndahet mbi bazën e performancës. Udhëzimi i përbashkët i ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor dhe ministrit të Financave nr. 1, datë 10.06.2026 përcakton kriteret, procedurat dhe mënyrën se si do të ndahen paratë për bashkitë që përmbushin treguesit e vendosur.
Granti i Bazuar në Performancë është një mekanizëm i bashkëfinancuar nga qeveria shqiptare, qeveria e Konfederatës Zvicerane dhe qeveria e Suedisë, përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC, dhe Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SIDA. Fondi synon të nxisë bashkitë të planifikojnë më mirë, të përmirësojnë shërbimet dhe të rrisin përgjegjshmërinë në përdorimin e financave publike.
Fondi ndahet në dy pjesë kryesore
Granti prej 250 milionë lekësh ndahet në dy komponentë. Komponenti i parë lidhet me planet vendore dhe përbën 38% të fondit total, ose 95 milionë lekë. Ky komponent shpërblen bashkitë që hartojnë dhe miratojnë dokumente strategjike vendore në fusha të rëndësishme për zhvillimin lokal.
Brenda këtij komponenti, Plani Vendor i Mbarështimit të Pyjeve ka peshën më të madhe, me 30% të fondit të komponentit, ose 28.5 milionë lekë. Plani Vendor i Menaxhimit të Mbetjeve ka peshë 20%, ose 19 milionë lekë. Plani Vendor Social dhe Plani Vendor i Arsimit Parauniversitar kanë secili peshë 15%, me nga 14.25 milionë lekë. Ndërsa Plani Vendor i Integritetit dhe Plani Vendor i Barazisë Gjinore kanë secili peshë 10%, me nga 9.5 milionë lekë.
Komponenti i dytë lidhet me tregues të matshëm rezultati dhe përbën 62% të fondit total, ose 155 milionë lekë. Ky komponent vlerëson jo vetëm nëse bashkitë kanë dokumente, por edhe nëse kanë arritur rezultate konkrete në fusha si arsimi parashkollor, mbetjet, pyjet, shërbimet sociale, integriteti, financat vendore dhe të ardhurat nga taksa mbi pasurinë.
Treguesit që sjellin para për bashkitë
Në komponentin e dytë janë përcaktuar 10 tregues, ku secili ka peshë 10% dhe fond prej 15.5 milionë lekësh. Bashkitë mund të përfitojnë nëse shkalla e regjistrimit në kopshtet publike është jo më e vogël se 60% për vitin 2025, nëse riciklimi i të ardhurave nga ekonomia pyjore është jo më i vogël se 70% për vitin 2025, ose nëse gjatë vitit 2025 kanë mbuluar të paktën 50% të kostos së shërbimit të menaxhimit të mbetjeve nga tarifa.
Një tjetër tregues lidhet me shërbimet sociale. Deri më 30 qershor 2026, bashkitë e vogla duhet të shtojnë 1 shërbim social, bashkitë e mesme 2 shërbime sociale dhe bashkitë e mëdha 3 shërbime sociale. Sipas udhëzimit, një shërbim social konsiderohet funksional vetëm nëse shoqërohet me dokumentacion të plotë, si vendim të Këshillit Bashkiak, urdhër të brendshëm, emërim stafi, kontrata, buxhet të dedikuar dhe evidencë të ofrimit të shërbimit.
Bashkitë vlerësohen edhe për planifikimin e paketës së emergjencës për viktimat e dhunës në buxhetin e vitit 2026, për zbatimin gjatë vitit 2025 të të paktën 50% të masave të parashikuara në Planin Vendor të Integritetit, si dhe për raportimin brenda afatit të të dhënave për të gjithë treguesit e Raportit Kombëtar të Performancës 2025.
Në fushën financiare, bashkitë shpërblehen nëse niveli i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura në periudhën e vlerësimit kundrejt periudhës referuese është mbi 30%. Bashkitë që nuk kanë detyrime të prapambetura në periudhën referuese marrin pikët maksimale për këtë tregues. Po ashtu, kërkohet që realizimi i buxhetit në periudhën referuese kundrejt planit vjetor të jetë mbi 35%, ndërsa të ardhurat nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme duhet të jenë rritur me të paktën 20% në 6-mujorin e parë të 2026-ës, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Në këtë vlerësim nuk përfshihet taksa e transaksioneve mbi pasurinë e paluajtshme.
Fondi ndahet mes bashkive që kualifikohen
Pjesa më e rëndësishme është mënyra se si do të ndahen paratë. Sipas udhëzimit, fondi i Grantit të Bazuar në Performancë shpërndahet për çdo bashki sipas një sistemi matjeje që vlerëson përmbushjen e treguesve të vendosur.
Kjo do të thotë se bashkitë nuk marrin automatikisht para nga fondi. Ato duhet të aplikojnë, të dorëzojnë dokumentacionin përkatës dhe të vlerësohen si përmbushëse për treguesit e caktuar. Për çdo tregues, fondi përkatës ndahet në përpjesëtim të drejtë mes bashkive që shpallen fituese për atë tregues.
Udhëzimi jep edhe një shembull konkret. Nëse aplikojnë 61 bashki dhe, pas vlerësimit të treguesve të performancës, të 61 bashkitë shpallen kualifikuese nga Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve, atëherë shumat për t’u shpërndarë përpjesëtohen me 61 bashki.
Në këtë rast, për Planin Vendor të Mbarështimit të Pyjeve, fondi prej 28.5 milionë lekësh do të ndahej mes 61 bashkive, ose rreth 467 mijë lekë për bashki. E njëjta metodë ndiqet edhe për zërat e tjerë. Por nëse numri i bashkive fituese është më i vogël, shuma për secilën bashki rritet, pasi fondi ndahet vetëm mes atyre që e kanë përmbushur treguesin.
Kjo formulë e bën grantin konkurrues dhe të lidhur drejtpërdrejt me performancën. Një bashki mund të fitojë fonde për disa tregues njëkohësisht, nëse plotëson kushtet për secilin prej tyre. Në të kundërt, nëse nuk e përmbush një tregues, nuk përfiton nga fondi i parashikuar për atë tregues.
Aplikimi dhe vlerësimi i bashkive
Çdo bashki ka të drejtë të aplikojë për grantin e bazuar në performancë. Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore me shkresë zyrtare ose me email, deri më 24 korrik 2026 dhe jo më vonë se ora 16:00. Bashkitë duhet të paraqesin dokumentacionin me shkresë përcjellëse, ku të përfshihet lista e dokumenteve dhe kategorizimi për secilin tregues.
Sipas kalendarit të përcaktuar në udhëzim, periudha e përgatitjes për aplikime, ofrimi i mbështetjes për bashkitë dhe dorëzimi i dokumenteve zgjasin deri më 24 korrik 2026. Shqyrtimi i aplikimeve nga Sekretariati Teknik bëhet deri më 15 shtator 2026, vlerësimi i bashkive fituese nga Komisioni deri më 15 tetor 2026, ndërsa përllogaritja e fondit për t’u shpërndarë deri më 15 nëntor 2026. Alokimi i fondeve parashikohet për periudhën nëntor–dhjetor 2026, përfshirja në buxhetin vendor në dhjetor 2026, ndërsa monitorimi dhe raportimi do të kryhen nga janari deri në qershor 2027.
Fondet nuk mund të përdoren për paga dhe shpërblime
Udhëzimi përcakton se bashkitë kanë pavarësi në përdorimin e fondit të përfituar, por me një kufizim të rreptë: paratë nuk mund të përdoren për paga apo shpërblime. Fondet duhet të përdoren sipas nevojave të bashkive dhe pas vendimit të Këshillit Bashkiak për destinacionin e përdorimit.
Nga fondi total prej 250 milionë lekësh, 200 milionë lekë janë financim i brendshëm, si zë i veçantë i fondit të akorduar për buxhetin vendor në formën e transfertës së pakushtëzuar sektoriale. Pjesa tjetër, 50 milionë lekë, është financim i huaj nga qeveria e Konfederatës Zvicerane, përmes SDC-së, dhe nga SIDA.
Fondet e papërdorura nga granti i vitit 2026 me burim financimi të brendshëm trashëgohen në vitin 2027 për të njëjtin destinacion. Edhe fondet e huaja të papërdorura ose të prokuruara dhe të papërdorura në fund të vitit buxhetor trashëgohen në vitin pasardhës për të njëjtat projekte ose produkte. Nëse nga procesi i prokurimit mbetet tepricë, bashkitë mund ta përdorin për qëllime të tjera që i gjykojnë të nevojshme, por vetëm me vendim të Këshillit Bashkiak.
Monitorim dhe auditim edhe nga donatorët
Përdorimi i grantit do të monitorohet dhe auditohet. Ministria e Financave, bazuar në raportimet e bashkive, publikon përdorimin e fondeve dhe raportet ia dërgon AMVV-së dhe donatorëve. Të gjitha fondet e financuara përmes grantit i nënshtrohen auditimit sipas legjislacionit në fuqi.
Donatorët kanë të drejtë të kryejnë monitorime në terren dhe të kërkojnë auditim me shkrim për raste të veçanta, kur shuma e grantit është më e madhe se 4 milionë lekë dhe është përdorur në një projekt të vetëm. Në këto raste, auditimi mund të kryhet nga subjekte të angazhuara posaçërisht nga donatorët dhe shpenzimet mbulohen prej tyre. Donatorët kanë gjithashtu të drejtë të jenë të pranishëm në procedurat e administrimit të dokumentacionit dhe vlerësimit të performancës së bashkive./ekofin.al


