E drejta për strehim është një prej të drejtave të rëndësishme të njeriut që lidhet drejtpërdrejt me të drejtën për jetën dhe shëndetin.
Gjatë vitit 2024, Avokati i Popullit ka trajtuar 60 ankesa, të lidhura kryesisht me banesat sociale, me kreditë e buta, bonus qiraje, si dhe problematikat e lidhura me përmirësimin e kushteve të jetesës si nevojë për rikonstruksion të menjëhershëm të banesës, adresimin e pasojave të ardhura nga dëmtimet e tërmetit, përmbytjeve, etj.
Nga shqyrtimi i ankesave të trajtuara është evidentuar si problematikë në disa bashki vonesa e miratimit të pagesës së bonusit tej afateve të arsyeshme ligjore, ose ndërprerja në mënyrë të njëanshme për mungesë fondesh.
Sipas raportit, Avokati i Popullit ka gjetur se organet përgjegjëse nuk kanë treguar kujdes të shtuar ndaj grupeve në nevojë apo familjeve me pjesëtarë të sëmurë, invalidë të grupeve të ndryshme, fëmijë, gra shtatzëna apo të divorcuara me fëmijë, të moshuar, etj.
Në disa raste këtyre kategorive u mungon qasja në shërbime bazike publike (si furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike, largimi i ujërave të ndotura dhe menaxhimi i mbetjeve), akses në shërbimet e punësimit, shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe social, në arsim, si dhe në shërbime të tjera komunitare.
Por Avokati ka bërë rekomandim të posaçëm edhe për një shqetësim tjetër në Bashkinë e Tiranës: rregullimin e mënyrës së pagesës së taksës mbi ndërtesën, taksën e infrastrukturës, tarifën e pastrimit, taksën mbi pasurinë e paluajtshme. Nga hetimi rezulton se këto taksa e tarifa i drejtohen individit i cili i merr një herë shërbimet, pavarësisht se mund të posedojë disa pasuri të paluajtshme dhe nuk mund të paguajë për çdo pasuri secilën nga taksat e lartpërmendura.
Gjithashtu, i është rekomanduar Bashkisë Tiranë të përmirësojë mënyrën e njoftimit të qytetarëve, duke siguruar njoftimin në adresat e tyre dhe të sigurohet që ky njoftim është marrë qoftë edhe me nënshkrim nga ana e tyre, që të garantohet edhe një mbrojtje sa më efektive e të drejtave dhe interesave të ligjshme të tyre./ekofin.al
