Projektet e paraqitura nga bashkitë për përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit në vitin 2024 arritën në 8.3 miliardë lekë, ndërsa fondi fillestar në dispozicion ishte vetëm 400 milionë lekë. Pra, buxheti mund të mbulonte rreth 4.8% të vlerës së kërkesave, duke nxjerrë në pah një hendek të fortë mes nevojave të raportuara nga pushteti vendor dhe financimit të disponueshëm.
Ministria e Bujqësisë u ishte drejtuar 61 bashkive në janar 2024, duke u kërkuar projekte për ujitjen dhe kullimin të shoqëruara me dokumentacion teknik. Në thirrje u përgjigjën 52 bashki, të cilat paraqitën në total 113 projekte me vlerë rreth 8.3 miliardë lekë.
Jo të gjitha projektet kaluan filtrin teknik. 41 projekte u skualifikuan, ndër të tjera për mungesë dokumentacioni të vlefshëm, pasiguri lidhur me burimin ujor ose mosplotësim të kritereve ligjore. Pas kësaj faze mbetën 72 projekte, kryesisht për rehabilitimin e kanaleve të ujitjes, me një vlerë të përbashkët prej 2.87 miliardë lekësh. Edhe kjo shumë ishte mbi shtatë herë më e lartë se fondi prej 400 milionë lekësh në dispozicion në fazën e parë.
Për shkak të kufirit buxhetor, në fazën e parë u përzgjodhën për financim vetëm 27 projekte në 17 bashki. Sipas të dhënave të Ministrisë të cituara në auditim, investimet e përzgjedhura pritej të ndikonin në rreth 17 mijë hektarë sipërfaqe ujitëse.

Situata ndryshoi gjatë vitit, kur fondi u shtua me 200 milionë lekë, duke arritur në 600 milionë lekë. Në të njëjtën kohë u zgjerua edhe fusha e financimit, duke përfshirë jo vetëm ujitjen dhe kullimin, por edhe pajisje, makineri dhe ndërhyrje për mbrojtjen nga përmbytjet.
Me fondin shtesë u financuan 24 projekte, nga të cilat 20 për ujitjen, një projekt për mbrojtjen nga përmbytjet dhe tre ndërhyrje në diga. Ato u përkisnin 15 bashkive dhe sipas raportit kishin ndikim në rreth 9 mijë hektarë sipërfaqe ujitëse. Në këtë fazë u përfshi edhe ndërhyrja në përroin e Zaranikës në Elbasan, që sipas dokumentacionit synonte mbrojtjen nga përmbytjet të rreth 7,500 familjeve, si dhe tre ndërhyrje emergjente në diga në Bashkinë Tropojë.
Përtej problemit me pamjaftueshmërinë e fondeve, KLSH ngre edhe çështjen e mënyrës së vlerësimit të projekteve, duke konstatuar se në thirrjen e parë nuk ishte kërkuar në mënyrë detyruese informacion mbi vlerën kontabël të aseteve ku do të investohej. Sipas dokumentit, ky informacion do të ndihmonte për të kuptuar nëse ndërhyrja ishte realisht e nevojshme dhe për të shmangur mbivendosjen e financimeve mbi objekte që mund të kishin përfituar më parë investime publike.
Në këtë kuptim, shifra prej 8.3 miliardë lekësh nuk përfaqëson automatikisht një nevojë të verifikuar për financim, pasi një pjesë e projekteve u skualifikuan. Por edhe pasi u eliminuan projektet problematike, 2.87 miliardë lekë kërkesa u konsideruan teknikisht të përshtatshme, shumë dukshëm më e lartë se fondet e disponueshme. /ekofin.al
