Administrata e 61 bashkive të vendit është zgjeruar me mbi 1 mijë punonjës vetëm gjatë vitit 2025, ndërsa diferencat mes njësive vendore mbeten të forta si në numrin e të punësuarve, ashtu edhe në raportin e tyre me popullsinë.
Sipas raportit të Institutit për Bashkitë Shqiptare, bazuar në të dhënat e Sistemit Informatik Financiar të Qeverisë (SIFQ), në fund të vitit 2025 numri total i punonjësve faktikë në 61 bashkitë arriti në 39,910 persona.
Krahasuar me vitin 2024, administrata vendore është shtuar me 1,038 punonjës, ose rreth 2.7% brenda një viti. Nga të dhënat rezulton se zgjerimi nuk është një fenomen i izoluar në pak njësi vendore: 45 nga 61 bashki kanë shtuar numrin e punonjësve krahasuar me një vit më parë.
Rritjen më të madhe e regjistron Bashkia Kamëz, me 237 punonjës më shumë, e ndjekur nga Bashkia Fier me 153 punonjës shtesë dhe Bashkia Shkodër me 65 punonjës më shumë.
Në kahun e kundërt, disa prej bashkive kanë reduktuar administratën. Rënia më e madhe evidentohet në Bashkinë Tiranë, me 68 punonjës më pak, ndërsa pas saj renditen Cërriku me 29 punonjës më pak, Puka me 20 dhe Vlora me 16 punonjës më pak.
Raporti ngre ndërkohë një çështje më të gjerë sesa vetë numri i të punësuarve: sa eficient është përdorimi i burimeve njerëzore nga pushteti vendor dhe në çfarë mase shtimi i administratës përkthehet në shërbime më të mira për qytetarët.
Me një popullsi prej 2,363,314 banorësh më 1 janar 2025, sipas INSTAT, Shqipëria kishte mesatarisht 16.89 punonjës bashkie për çdo 1,000 banorë. Raporti e krahason këtë tregues me një referencë të Bankës Botërore prej 25 punonjësish për 1,000 banorë, duke evidentuar një diferencë prej 8.11 punonjësish për 1,000 banorë.
Por, sipas Institutit për Bashkitë Shqiptare, mesatarja kombëtare nuk tregon të gjithë panoramën. Pas saj fshihen diferenca të konsiderueshme ndërmjet bashkive, veçanërisht në disa njësi të vogla vendore që, pavarësisht popullsisë së ulët dhe bazës së kufizuar ekonomike, rezultojnë me raporte të larta punonjësish për 1,000 banorë.
Problemi, sipas analizës, lind kur një administratë më e madhe nuk shoqërohet me përmirësim proporcional të shërbimeve publike, investimeve apo performancës financiare. Në këto raste, Instituti ngre pikëpyetje nëse numri i lartë i punonjësve përfaqëson kapacitet real administrativ apo një kosto operative të pajustifikuar për buxhetet vendore.
Raporti argumenton se numri i punonjësve duhet të analizohet së bashku me tregues të tjerë, si cilësia e shërbimeve, aftësia për mbledhjen e të ardhurave, realizimi i investimeve, produktiviteti dhe reagimi ndaj nevojave të qytetarëve.
Për këtë arsye, Instituti rekomandon që bashkitë me raporte të larta punonjësish për banor t’i nënshtrohen një analize funksionale të strukturës organizative, për të identifikuar pozicionet që krijojnë vlerë publike dhe ato që përbëjnë kosto të pajustifikuara.
Synimi, sipas raportit, duhet të jetë kalimi nga një administratë e bazuar te numri i punonjësve drejt një administrate të orientuar nga performanca, produktiviteti dhe standardet e shërbimit.
Reduktimi i kostove administrative joefektive, argumenton Instituti, do të mund të lironte më shumë fonde për investime në infrastrukturë, shërbime publike dhe zhvillim vendor. /ekofin.al

