Kryeministri Edi Rama i ka tërhequr vëmendjen bashkive të vendit sa i takon detyrimeve të pashlyera ndaj shtetit. Gjatë një takimi me kryetarët e bashkive, ku të pranishëm janë edhe ministrat e kabinetit qeveritar Rama tha se në disa bashki të vendit borxhet vijnë duke u thelluar kryesisht ndaj ujësjellsave, OSHEE-së etj.
“Borxhet thellohen në disa bashki. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë ka bërë një paraqitje të situatës financiare. Borxhet thellohen nga bashkitë, pasi ecin me idenë se janë borxhe ndaj shtetit dhe nuk përbëjnë problem. Janë kryesisht borxhe ndaj ujësjellësave, OSHEE-së, etj. Në disa bashki ka përmirësime. Por duhet përmirësim uniform. Duhet garantuar mesatarja e artë e shërbimeve dhe dinjitetit të qeverisjes së Partisë Socialiste”, deklaroi kryeministri.
Qeveria shqiptare ka nisur zbatimin e një reforme në sektorin e ujësjellësave, përmes së cilës synon një transformim rrënjësor të shërbimit, duke u ofruar qytetarëve ujë të pijshëm 24 orë në 24 dhe si rrjedhojë edhe shëndoshjen financiare të të gjitha kompanive të reja që do të krijohen.