Shqipëria po përjeton një vrull turistik të jashtëzakonshëm, por infrastruktura dhe kushtet për pushimet në bregdetin e saj nuk janë në përputhje me standardet e duhura. Megjithatë bashkitë bregdetare siguruan të ardhurat nga vjelja e tarifave ndaj hapësirës së zënë publike në plazhe në masën prej rretb 1.4 miliardë lekësh për gjithë periudhën 2022- qershor 2024, sipas auditimit të KLSH.
Të ardhurat më të larta janë realizuar nga bashkitë Himarë dhe Durrës, ndërsa niveli më i ulët i të ardhurave nga Bashkia Vlorë. Por nga ana tjetër, bashkitë nuk kanë bërë sa duhet për krijimin e kushteve të duhura për plazhet publike. Auditimi më i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr në pah të metat dhe mangësitë për një turizëm të denjë.
Sipas raportit, një pjesë e mirë e plazheve publikë vazhdojnë të shfaqin probleme të pazgjidhura ndër vite lidhur me respektimin e standardeve. Gjatë sezonit turistik 2024, sipas Agjencisë Kombëtare të Bregdetit rezulton se në plazhet publike të zonës së Ksamilit është konstatuar mungesë e shërbimeve higjienike.
Në plazhet e Himarës, Lukovë, Bunec, plazhet publike janë pa roje dhe pa sinjalistikën e nevojshme si dhe nuk ka plazhe të përshtatura për persona me aftësi të kufizuar.
Në plazhin e Borshit ka mungesë të investimeve në infrastrukturë nga ana e Bashkisë, rehabilitimi i rrugës, mungesa e ndriçimit, ujit, gjelbërimit, pa pasur kujdes të veçantë pastrimi, i cili është bërë disa herë në ditë nga firma e pastrimit.
Në Qeparo dhe Porto Palermo në disa hapësira publike janë vendosur çadra të paçmontueshme me drurë nga ana e banorëve të zonës. Në plazhin e Porto Palermos plazhet janë shfrytëzuar nga publiku si plazhe publike edhe pse janë të pa miratuara. Gjithandej nëpër plazhe, përfshirë Potam, Maraç, Himarë dhe Dhërmi, krahas mungeës së sinjalistikë ujore, mungojnë edhe vrojtuesit e licencuar. Por në Livadh mungojnë edhe kushtet bazike si tualete, kabina zhveshje, dushe etj.
Në Bashkinë Lezhë lidhur me plazhet publike, gjatë monitorimeve të Agjencisë janë konstatuar se një pjesë e parcelave të paracaktuara si plazhe publike në zonat bregdetare nën juridiksionin territorial të kësaj të fundit për shkak të terrenit nuk janë lehtësisht të aksesueshme nga ana e publikut.
Po ashtu zona bregdetare e Shëngjinit dhe ajo e Kunes kanë të paracaktuara si plazhe publike një numër shumë të vogël parcelash të cilat referuar fluksit të madh të turistëve si atyre ditorë, banorëve të Njësisë Administrative Shëngjin apo edhe atyre të cilët, për sezonin turistik 2024, kanë investuar duke blerë shtëpi pushimi në këto zona bregdetare, e kanë të pamundur përballimin e këtij fluksi.
Problematikë tjetër e shfaqur në gjithë periudhën e auditimit është nevoja për një numër më të lartë vrojtuesish plazhi, të cilët duhet të angazhohen në këtë lloj shërbimi në plazhe.
Shumë subjekte kanë paraqitur në AKB shqetësimin se nuk arrijnë të gjejnë vrojtues plazhi të certifikuar në tregun e punës, pikë për të cilën AKB sugjeron promovimin e trajnimeve që po ofrohen dhe nga Universiteti i Sporteve në bashkëpunim me Qendrën e Urgjencës Kombëtare./ekofin.al


