Taksa mbi ndërtesën është ndër burimet më me peshë në buxhetin e Bashkisë Tiranë dhe përbën mesatarisht 13 % të totalit të të ardhurave të veta referuar realizimit faktik 10 mujorë dhe atij të pritshëm për vitin 2024.
Llogaritja e taksës për ndërtesën/njësi pronësore bazohet në shkallën në përqindje të taksës së miratuar me ligj, më specifikisht 0,05%, për ndërtesën/njësinë pronësore që përdoret, shfrytëzohet për banim; 0,2%, për ndërtesën/njësinë pronësore që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike; 30% e shkallës së taksës përkatëse, për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë, sipas afatit në lejen e ndërtimit.
Në vitin 2023 kjo taksë ka pasur realizimin më të lartë krahasuar me vitet e kaluara, ndërkohë që në vitin 2024 realizimi i pritshëm nuk ka të njëjtën bazë krahasuese, duke qenë se çmimet referuese kanë ndryshuar duke ndryshuar bazën e taksueshme.

Për sa i përket kategorisë së ndërtesave që shfrytëzohen për banim, për shkak të mangësive thelbësore në databazën e Kadastrës Fiskale, që e bënin të pamundur implementimin e taksës mbi bazë të vlerës, Bashkia e Tiranës ka angazhuar agjentin tatimor për të krijuar bazën e të dhënave për taksën.
Viti 2024 pritet të jetë viti me realizimin e më të lartë gjatë kësaj periudhe 6-vjeçare, si nga rritja e arkëtimeve dhe nga fakti i ndryshimit të nivelit të taksës së ndërtesës që nga aplikimi i çmimeve të reja të referencës.

Sipas raportit, planifikimi i ardhurave për periudhën 2025 – 2027 merr në konsideratë planifikimin për kategorinë e bizneseve në bazë të të dhënave të DPTTV, ndërsa për kategorinë familjare në bazë të një vlerësimi paraprak, sipas të dhënave aktuale që disponohen nga baza e të dhënave e krijuar nga Agjenti Tatimor.
Bazuar në të dhënat e 9 mujorit të vitit 2024 nga agjenti tatimor, abonentë të faturuar mesatarisht në muaj gjatë kësaj periudhe janë 207,552, nga këta kanë paguar mesatarisht 170,778 në muaj.
Abonentë të përjashtuar në faturimin e muajit tetor 2024 në lidhje me taksën e ndërtesës rezultojnë 28,772 abonentë.
Në vitin 2025, të ardhurat nga taksa mbi ndërtesën nga të dy kategoritë taksapaguese janë parashikuar në vlerën 3.64 miliardë lekë. /ekofin.al

