Gjatë 10 viteve të fundit dy shqetësimet kryesore për qytetarët e Ballkanit Perëndimor ishin papunësia dhe së fundmi gjendja ekonomike. Këtë vit, për herë të parë, inflacioni/rritja e çmimeve zë vendin e parë, me 64% të të anketuarve në 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor që pretendojnë se kjo i shqetëson më shumë. Gjithashtu për herë të parë, shqetësimi për korrupsionin (36%), në kuotat më të larta në 10 vitet e fundit (dhe 9% më i lartë se vitin e kaluar), është më i madh se ai për papunësinë (27%).
Edhe pse në një masë më të vogël në krahasim me rezultatet e Barometrit 2023, ikja e trurit mbetet një shqetësim në rajon (19%). Të anketuarit në Ballkanin Perëndimor shfaqin relativisht pak shqetësim për cilësinë e arsimit dhe mjedisin/ngrohjen globale, dy zona ku rajoni performon relativisht dobët në krahasimet ndërkombëtare.
Pyetjes se cilat janë problemet më të mëdha me të cilat përballet ekonomia juaj, për shqiptarët në 71% qëndrojnë çmimet e larta. “Më të shqetësuarit” në rajon për çmimet janë serbët me 73%. Sipas anketimit, shqiptarët duket se janë të kënaqur me arsimin, i cili përbën vetëm 4% të shqetësimit të të anketuarve në Shqipëri. /ekofin.al