Shqiptarët e shohin Evropën si një shtëpi të dytë për të jetuar dhe punuar. Sondazhi i zhvilluar nga Barometri i Ballkanit 2024 tregon dëshirën e 50% të të anketuarve, pothuajse e njëjtë me vitin 2023 (49%) për të jetuar në vendet evropiane, ndërsa 31% e tyre do të zgjidhnin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Midis vendeve të Ballkanit, Amerika do të zgjidhej nga malazezët me 32% në radhë të parë dhe më pak nga serbët me 19% dhe boshnjakët me 18%.
Megjithatë, ajo që bie në sy nga anketimi është se ballkanasit kanë treguar shumë pak interes për vendet e tyre nëse do ta zgjidhnin me dëshirë punën dhe jetën, ku spikasin shqiptarët dhe serbët.
Preferenca për të jetuar në një nga ekonomitë e Ballkanit, pavarësisht shifrave të ulëta, tregoi se Shqipëria do të zgjidhej nga kosovarët me 2.4% në shifrën më të lartë dhe nga 1.1% e serbëve në shifrën më të ulët.
Serbia do të ishte preferenca e parë e malazezëve me 2.2%, ndjekur nga maqedonasit dhe boshnjakët me 1.9% dhe nga shqiptarët në shifrën më të ulët me 1.2%.
Pavarësisht dëshirës për të jetuar jashtë, për vitin 2024, vetëm 16% e shqiptarëve planifikojnë përgatitjen për aplikimin e vizave të punës, ndërsa 82% të tjerë nuk nuk kanë marrë hapa konkretë.
Ndërkohë, në shtator 2024, të dhënat nga “EUROSTAT”, treguan se BE në katër vitet e fundit ka lëshuar 75 mijë leje qëndrimi për qytetarët shqiptarë dhe 33.8% e tyre ishin për punësim.
