Normat e interesit të kredisë për shtëpi në lekë po vazhdojnë rënien dhe kanë prekur nivelin më të ulët prej një viti e gjysmë.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në lekë për muajin maj zbriti në 4.59%, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë shënonte nivelin 5.21%. Norma mesatare e interesit e portofolit të kredisë për shtëpi në lekë ka prekur nivelin më të ulët që prej nëntorit 2022.
Rënia e normave të interesit është e dukshme edhe në kreditë e reja të dhëna gjatë periudhës. Për majin, kreditë e reja për shtëpi në lekë u dhanë me një normë mesatare interesit prej 3.95%, niveli më i ulët që prej gushtit të vitit të kaluar.
Rënia e normave të interesit i kanë dhënë një shtysë të re rritjes së kredisë për shtëpi. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit maj portofoli i kredisë për shtëpi arriti vlerën e 194.3 miliardë lekëve, në rritje me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kredia e re e disbursuar gjatë pesë muajve të parë të vitit arriti në afërsisht 23 miliard lekë, 17% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shtysa ka ardhur e gjitha nga kredia e re në lekë, që për 5-mujorin 2024 është dyfishuar krahasuar me 5-mujorin e parë të vitit 2023./Monitor
