Referuar të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, të ardhurat e bankave në zërin “komisione dhe gjoba të arkëtueshme” kanë shënuar nivel rekord për 9-mujorin.
Kështu, për periudhën janar-shtator, bankat kanë siguruar thuajse 9.8 miliardë lekë të ardhura, duke u rritur me afro 25% krahasuar me një vit më parë, kur ato u goditën kryesisht edhe për shkak të pandemisë. Gjithashtu, bëhet fjalë për nivelin më të lartë historik të të ardhurave nga komisionet që nga ofrimi i këtyre të dhënave nga Banka e Shqipërisë, viti 2010.
Vitin e kaluar, komisionet ishin një nga zërat që u goditën më shumë nga kriza e pandemisë. Kjo rënie u ndikua sidomos nga periudha tremujore e mbylljes së ekonomisë, që solli frenim të aktivitetit ekonomik. Bankat punuan me orare dhe staf të reduktuar, ndërkohë që Banka e Shqipërisë vendosi përkohësisht edhe heqjen e komisioneve për pagesat e kryera nga kanalet elektronike, me qëllim lehtësimin e transaksioneve në distancë. Të gjithë këta faktorë ndikuan në një ulje drastike dhe të ardhurat nga komisionet për 9-mujorin e vitit të kaluar ishin 7.8 miliardë lekë, ndër nivelet më të ulëta që nga viti 2016.
Këtë vit, shtimi i të ardhurave nga komisionet është një nga faktorët që ka ndihmuar në përmirësimin e rezultatit financiar të sektorit bankar. Sipas Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin bankat realizuan një fitim neto në vlerën e 15.9 miliardë lekëve, 48% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.