Standardet e kreditimit për individët vijuan lehtësimin edhe në tremujorin e tretë të vitit.
Banka e Shqipërisë, publikoi këtë javë rezultatet e vrojtimin mbi aktivitetin kreditues, sipas së cilit, “lehtësimi i standardeve për individët ishte evident vetëm në kreditë për blerje banesash, ndërkohë që standardet e kreditimit në kreditë konsumatore, në linjë me pritjet, nuk ndryshuan nga një tremujor më parë. Lehtësimi i standardeve të kreditimit për individët u arrit nga shtimi i konkurrencës në sistemin bankar, si edhe nga perceptimi i bankave për rrezik më të ulët lidhur me kolateralin”.
Sipas BSH-së, në tremujorin e fundit të vitit 2021, bankat presin t’i lehtësojnë më tej standardet e kreditimit për individët, sidomos në kreditë për blerjen e banesave.
“Lehtësimi i kushteve dhe termave të kreditimit për individët u mbështet nga shtimi i konkurrencës në sistem bankar, si edhe nga toleranca më e lartë e bankave kundrejt rrezikut nga një tremujor më parë. Bankat u shprehën të kenë pranuar një numër më të lartë aplikimesh për kredi nga ana e individëve. Raporti i kredive të refuzuara ndaj totalit të aplikimeve për kredi nga ana e individëve u raportua në rënie në tremujorin e tretë të vitit”, thekson BSH-ja.