Viti 2023 ka shënuar një rekord historik sa i përket fitimeve të bankave. Sipas një raporti të Shoqatës së Bankave në total gjatë vitit të kaluar u realizuan fitime neto në masën 28.5 miliardë lekë.
Fitimet e vitit të kaluar përbëjnë një rekord absolut historik si në vetvete, ashtu edhe në raport me kapitalin aksioner apo në raport me asetet, gjë që do të thotë se bankat janë në gjendje të vjelin më shumë fitime neto përkundrejt parave të investuara në këto sipërmarrje apo parave të menaxhuara nga këto sipërmarrje.
Rezultati i jashtëzakonshëm duket se i detyrohet fitimeve të shtuara nga rritja e normave bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, të cilat, gjatë dy viteve të fundit, janë shoqëruar me një rritje edhe më të lartë në normat e interesit të titujve të borxhit publik, ku bankat kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut.
Të dhënat e raportuara nga Shoqata e Bankave tregojnë se të njëmbëdhjetë bankat e nivelit të dytë e mbyllën vitin e kaluar me fitime. Asetet e menaxhuara nga bankat u rritën me 5% gjatë vitit të kaluar, kapitali aksioner u rrit me 8%, ndërsa fitimet u rritën me 19%.
Bankat realizuan bashkërisht një normë kthimi mbi kapitalin aksioner në masën 22% gjatë vitit të kaluar, nga 14.2% që ishte në vitin 2022 dhe më pak se 10% që ishte në dekadën paraardhëse. Pjesa më e madhe e fitimeve i takoi BKT me 23.4%, pasuar nga Raiffeisen me 22.8% dhe OTP Albania me 11.7%. Në mënyrë të ngjashme, kthimet mbi asetet ishin 2.2% vitin e kaluar nga 1.3% që ishin në vitin 2022.
Fitimet e shtuara të bankave duket se kanë ardhur në pjesën më të madhe nga rritja e interesave të borxhit publik. Bonot e thesarit 12 mujore, të cilat përbëjnë një pjesë thelbësore të të gjithë titujve të borxhit publik në Shqipëri, patën mesatarisht një interes prej 3.6% vitin e kaluar, nga 3.2 në vitin 2022 dhe 1.76 në vitin 2021. Rritja e interesave të borxhit publik ka rëndësi vendimtare për fitimet e bankave për shkak se në tituj, bankat investojnë 40% të të gjitha aseteve të tyre. /ekofin.al

