Anketimi i bankave të nivelit të dytë nga Këshilli i Investimeve në Shqipëri tregon se për periudhën shtator – tetor 2024 kreditimi i ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) kanë qenë fokusi gjatë 3 viteve të fundit. Sipas të dhënave, 5 nga 9 Banka të Nivelit të Dytë (BNV) kanë deklaruar rritje të konsiderueshme të financimit të NMVM.
Financimi i aktivitetit të hoteleri-turizmit zë gatishmërinë e plotë të bankave, ndjekur nga shërbimet 89%, energjia dhe gazi 89%, ndërkohë që ka rënë gatishmëria për financimin e aktivitetit të ndërtimit në 33%.
Problemet me regjistrimin e pronave, kolaterali, identifikohen nga bankat tregtare si faktorët kryesorë që frenojnë rritjen e nivelit të kreditimit për ndërmarrjet, kjo sepse, prona të tilla nuk mund të pranohen si garanci. Një faktor i moderuar janë gjithashtu procedurat përmbarimore për kreditë e këqija dhe informaliteti, si pasojë e të cilit pasqyrat financiare që vihen në dispozicion e bëjnë të vështirë finalizimin dhe kreditimin e kërkesave.
Bankat duket se janë të kujdesshme në vlerësimin e nevojave të personalizuara për kreditim dhe 7 nga 9 prej tyre kanë prezantuar produkte të reja për financim ndaj NMVM-ve. Ndërkohë që vetëm 33% e bankave të anketuara ofrojnë këshillim për financim, 50% e tyre e vlerësojnë shumë të suksesshme këtë lloj iniciative.
Po kështu, sipas bankave, nevojiten disa ndryshime të kuadrit ligjor për të nxitur më tej kredidhënien për ndërmarrjet e vogla, siç janë automatizimi i ASHK-së dhe nxitja e formalizimit, reduktimi i cash-it për bizneset mikro dhe përdorimi më shumë i llogarive bankare, ndërsa në sektorin agrobujqësor, ndevojitet një regjistër ku të regjistrohen pronat bujqësore, gjëja e gjallë dhe çmimet e inputeve dhe outputeve kryesore. Një rol të rëndësishëm do të luante kontrolli nga tatimet ndaj bizneseve, në mënyrë që të rritet formalizimi i tyre, si dhe ulja e barrës fiskale./ekofin.al