Banka Shqiptare e Zhvillimit, institucioni më i ri financiar publik i krijuar në bazë të ligjit nr. 23/2025 “Për Bankën Shqiptare të Zhvillimit”, ka shpallur zyrtarisht thirrjen për aplikime për pozicione pune në strukturat e saj organizative, duke nisur praktikisht ndërtimin e ekipit nga zero. Banka do të ketë një staf prej rreth 43 vetash, ndërkohë që administrator është italiani Silvio Pedrazzi.
Institucioni i ri, i cili do të operojë me mandat zhvillimor për të mbështetur sektorët prioritarë të ekonomisë dhe për të adresuar boshllëqet në financim, është në fazën e konsolidimit administrativ dhe funksional. Në këtë kuadër, thirrja synon të rekrutojë profesionistë me profil të lartë në një gamë të gjerë funksionesh kyçe.
Sipas dokumentit të aplikimit, banka kërkon kandidatë për 16 fusha kryesore, përfshirë: Asistent Ekzekutiv, Burime Njerëzore, Menaxhim Risku, Çështje Juridike, Çështje Korporative, Zhvillim Biznesi dhe Produktesh, Planifikim dhe Kontroll, Kontabilitet, Prokurim, Teknologji Informacioni, Marrëdhënie me Publikun dhe Median, Shërbime Mbështetëse, Protokoll, Sekretar i Këshillit Mbikëqyrës, Audit i Brendshëm dhe Thesar.
Struktura e shpallur tregon qartë arkitekturën e plotë institucionale që synon të ndërtojë banka: nga funksionet tradicionale bankare (risk, thesar, kontabilitet), te qeverisja korporative, auditimi i brendshëm dhe komunikimi publik.
Një peshë e konsiderueshme në strukturë i jepet menaxhimit të riskut, auditimit të brendshëm dhe çështjeve juridike, me fokus në përputhshmërinë me kuadrin rregullator bankar dhe procesin e përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Europian.
Kjo tregon se Banka Shqiptare e Zhvillimit po projektohet si një institucion me standarde të forta qeverisjeje, kontrolli të brendshëm dhe transparence – elementë thelbësorë për një bankë me rol zhvillimor dhe me marrëdhënie të pritshme me institucione financiare ndërkombëtare.
Për shumicën e pozicioneve kërkohet diplomë e nivelit Master Shkencor ose Master Profesional në fushat përkatëse (Ekonomi, Financë, Juridik, IT, Shkenca Shoqërore etj.), eksperiencë pune relevante dhe njohuri shumë të mira të gjuhës angleze.
Kandidatët duhet të paraqesin në adresën elektronike [email protected]: Curriculum Vitae; Letër motivimi, ku të specifikohet pozicioni për të cilin aplikojnë; Skanim të diplomës dhe listës së notave.
Procesi i përzgjedhjes do të përfshijë administrimin e dokumentacionit, seleksionimin fillestar, intervistat dhe verifikimin përfundimtar të dokumenteve.
E rëndësishme: Thirrja do të qëndrojë e hapur dhe aplikimet do të shqyrtohen në mënyrë të vazhdueshme, çka nënkupton një proces fleksibël rekrutimi në varësi të nevojave të ngritjes graduale të institucionit.
Gjithashtu Banka është duke kërkuar edhe ambjente me qira për të ushtruar aktivitetin.
Ngritja e Bankës Shqiptare të Zhvillimit përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në arkitekturën financiare të vendit. Në një kohë kur ekonomia shqiptare përballet me sfida strukturore në financimin afatgjatë të investimeve, instrumentet e garancive dhe mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, roli i një banke zhvillimore bëhet strategjik.
Për profesionistët e sektorit bankar, financiar, juridik apo të administratës publike, kjo thirrje përfaqëson jo vetëm një mundësi punësimi, por edhe mundësinë për të qenë pjesë e ndërtimit të një institucioni të ri nga themelet – me ndikim potencial në modelin e financimit të zhvillimit në Shqipëri për vitet në vijim. /ekofin.al
