Banka Qendrore Europiane ngriti normën e depozitave në një nivel historik dhe mbajti opsionet e hapura, për ndërhyrje të mëtejshme për të ulur inflacionin.
Kjo është hera e nëntë që norma rritet, nga 3.50% në 3.75%, niveli më i lartë që nga viti 2000, përpara se kartëmonedhat dhe monedhat euro të ishin vënë në qarkullim.
Por, BQE hoqi një aluzion të qartë për rritje të mëtejshme nga deklarata e politikës monetare, që do të thotë se një rritje e re në takimin e ardhshëm të BQE-së në shtator, nuk duhet të merret si e mirëqenë.
“Vendimet e ardhshme të Këshillit Drejtues, do të sigurojnë që normat kryesore të interesit të BQE-së do të vendosen në nivele mjaft kufizuese,” tha BQE.
Të njëjtin veprim ka bërë edhe Federal Reserve në SHBA, duke rritur së fundmi normën bazë të interesit, ndikuar nga inflacioni i lartë.
Inflacioni në Eurozonë, është përgjysmuar që nga tetori i kaluar, por në 5.5%, ai mbetet shumë mbi objektivin prej 2% të BQE-së.
Nga ana tjetër, kreditë, kërkesa për kredi dhe aktiviteti ekonomik, janë ngadalësuar ndjeshëm, duke treguar se rritja e normave të BQE-së tashmë po dëmton ekonominë.
