Banka OTP Albania është vlerësuar me çmimin prestigjioz “Banka më e mirë në Shqipëri” për vitin 2024 nga revista ndërkombëtare The Banker. Në motivacionin për dhënien e këtij çmimi, ndër më të rëndësishmit në industrinë globale bankare, theksohet se “Viti i kaluar ishte një periudhë transformimi për OTP Bank Albania. Pas blerjes së Alpha Bank Albania në vitin 2022, përgjatë vitit 2023 u realizua integrimi i operacioneve të bankës greke në ato të OTP. Integrimi teknik, ku përfshihet ai i sistemeve IT, online dhe të platformave të mobile banking dhe të sistemeve të kartave u realizua në vetëm tre ditë, pa ndërprerjen e shërbimeve thelbësore bankare.
Me integrimin e plotë të Alpha Bank në OTP, banka forcoi pozitat në treg, rriti kapacitetet operacionale dhe provoi aftësinë e saj për të menaxhuar projekte komplekse transformimi. Gjithashtu, ajo përmirësoi më tej në 44.7% raportin kosto-të ardhura, nga 47.4% që ishte në vitin 2022.”
Ky është viti i tretë radhazi që Banka OTP Albania vlerësohet me këtë çmim, duke rikonfirmuar rolin e saj si një bankë lider në sektorin bankar shqiptar.
Në këtë moment të rëndësishëm për Bankën OTP Albania, Drejtori i Përgjithshëm i saj, z. Bledar Shella u shpreh: “Ky është viti i tretë radhazi që ne marrim këtë vlerësim të rëndësishëm për bankën tonë. Unë besoj se çmimi nga The Banker, i bazuar në cilësinë e lartë të procesit të bashkimit të bankave, rritjen e biznesit dhe performancës së shkëlqyer financiare që kemi patur ndër vite, përfaqësojnë mesazhin e duhur që duhet të merrnim këtë fundvit”.
Revista The Banker, pjesë e grupit prestigjioz Financial Times, vlerëson çdo vit bankat që dallohen për performancën e tyre financiare, inovacionin dhe shërbimin e shkëlqyer ndaj klientëve. Çmimi për vitin 2024 vjen si një vlerësim për arritjet e Bankës OTP Albania sa i përket produkteve dhe ofertave të reja për segmentit e SME, duke e përcaktuar këtë segment si një treg kryesor, ofrimin e produkteve të reja për financimin e kapitalit qarkullues dhe aseteve fikse për bizneset Start-Up dhe atyre që operojnë në sektorin bujqësor, si edhe ofrimin e shërbimit të bankingut të hapur për klientët individë, i cili mundëson akses në kryerjen e pagesave dhe shërbimeve të tjera përmes aplikacioneve të palëve të treta.
“Është patjetër një vlerësim që i shkon punonjësve të rrallë që kemi në skuadrat tona, por mbi të gjitha klientëve tanë që kanë mirëkuptuar ndryshimet dhe kanë përqafuar të ardhmen e përbashkët”, shtoi Drejtori i Përgjithshëm i Bankës OTP Albania, z. Bledar Shella.
Çmimi “Banka më e mirë” për vitin 2024 reflekton edhe njëherë përkushtimin e Bankës OTP Albania ndaj rritjes së qëndrueshme, investimeve në zhvillimet teknologjike në shërbimet bankare dhe përmbushjes së nevojave të klientëve me profesionalizëm dhe inovacion.

