Pak ditë pasi ka dërguar për konsultim te bankat dhe institucionet financiare jobanke ndryshimet e parashikuara në rregulloren “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”, Banka e Shqipërisë është tërhequr nga një prej parashikimeve, që hasi edhe kundërshtinë më të madhe nga tregu.
Në projektrregullore u kërkohej bankave dhe institucioneve financiare që përpara botimit ose publikimit të çdo forme të reklamës apo materialet promocionale duhet të njoftohet Banka e Shqipërisë, e cila e shqyrton materialin brenda 15 ditëve pune dhe nëse e gjykon të papërshtatshëm mund ta kthejë për rishikim. Gjatë kësaj periudhe, institucioni financiar nuk mund të ecë përpara me fushatën e planifikuar publicitare.
Por pas kundërshtimeve të shumta që kanë mbërritur në drejtim të Bankës së Shqipërisë, ata vetë janë tërhequr nga ndryshimet e parashikuara në nenin 12/5, duke lënë vetëm pjesën ku Banka e Shqipërisë mund të ndalojë reklamat, nëse i konsideron të papërshtatshme.

Kjo është konfirmuar për ekofin.al nga një burim në Bankën e Shqipërisë, i cili theksoi se realizimi i një mbikëqyrejeje të tillë do të kërkonte shumë kohë dhe do të rezultonte efektivisht i pamundur për t’u realizuar, duke përfunduar më tej në bllokim të procesit dhe zgjatje tej afateve të planeve të marketingut për bankat dhe institucionet e tjera financiare.
Në dokumentin e ri, një nen i posaçëm i dedikohet mënyrës sesi do të realizohet marketimi i produkteve të kredisë. Në këtë rast, institucioneve financiare u kërkohet që në reklamat ose materialet promocionale për kreditë të përfshihet një paralajmërim i qartë dhe i dukshëm, me formulimin “Kujdes! Huamarrja e para kushton para”. Gjithashtu, më tej, duhet specifikuar gjithçka në materialin promocional që nga emri i institucionit, adresa, kontaktet, norma e interesit, komisioni, tarifat, vlera totale e kredisë, kohëzgjatja e kredisë, vlerën e kësteve dhe shumën totale të pagueshme nga konsumatori, etj. /ekofin.al
