Banka e Shqipërisë në zbatim të rekomandimeve të Moneyval, dhe forcimit të masave për parandalimin e pastrimit të parave, i ka kushtuar shumë vëmendje kontrollit të subjekteve financiare jobanka (SFJB) dhe zyrave të këmbimit valutor (ZKV) në vend,.
Në raportin e Mbikëqyrjes Financiare për vitin e kaluar, të publikuar sot nga BSH-ja njoftohet se, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, ka kryer 90 inspektime në këto zyra.
Nga inspektimi i ZKV-ve janë evidentuar mangësi në lidhje me mungesën e njohurive dhe për pasojë moszbatimin e detyrimeve ligjore/rregullatore në lidhje me: zbatimin e vigjilencës së duhur/zgjeruar; sistemin e centralizuar; mungesë evidencash etj.
Për problematikat e evidentuara BSH-ja raporton se ka marrë masat: Gjobë për 26 ZKV; tërheqje vëmendje për 16 ZKV dhe revokim licence për 23 ZKV.
Gjatë vitit të kaluar BSH-ja ka licencuar 41 zyrave të reja të këmbimit valutor.
Në Shqipëri aktualisht numërohen 556 zyra këmbimi valutor, ndërkohë që mbetet e lartë kërkesa për licenca të reja në këtë aktivitet.