Banka e Shqipërisë kërkon rishikimin e skemës së pensioneve, ndërsa kërkon që ajo të jetë në përputhje me skemat e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, ajo i kërkon Qeverisë të shohë mundësine e zgjerimit dhe diversifikimit të skemës, qoftë edhe përmes aplikimit të kolonës së dytë apo të tretë, me skemat vullnetare ose të detyrueshme.
Kështu deklaroi sot, zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë Luljeta Minxhozi, në Komisionin e Ekonomisë, gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2025. Ajo theksoi se skema aktuale mund të kthehet në një rrezik potencial për ritmin e rritjes ekonomike.
Minxhozi tha se, “zhvillimet aktuale kanë nxjerrë në pah nevojën e rishikimit të skemës së pensioneve. Skema e pensioneve po sfidohet fort nga ndryshimet demografike, plakja e popullsisë dhe emigrimi i krahut të punës. Mbështesim qeverinë në një skemë të re në përputhje me skemat e BE-së. Skemën e pensioneve duhet ta rishikojmë, sepse bëhet rrezik potencial për ritmin e rritjes ekonomike”.
Në gjykimin tonë, rishikimi i parametrave të skemës duhet të garantojë qëndrueshmërinë afatgjatë të saj, si dhe një ndikim sa më të vogël në buxhetin e shtetit, jo vetëm në afatin e shkurtër, por dhe në atë të mesëm e të gjatë.
Po ashtu, rishikimi i shtyllës së parë të skemës – asaj me kontribute të detyrueshme – duhet të bëhet paralelisht dhe i koordinuar me masa plotësuese për zhvillimin e shtyllës së dytë dhe të tretë të sistemit, ose skemat e sigurimit suplementar të detyruara dhe vullnetare,” tha znj. Minxhozi.
Ndërsa drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli vuri në dukje se, sa i takon skemës së re të pensioneve, fillimisht duhet të analizohet informaliteti që qëndron në parametra të lartë.
Themeli deklaroi se, “ka një shkallë të lartë informaliteti sa i takon deklarimit të pagave. Në gjykimin tonë përpara se të eksplorohen parametrat e reja të sistemit të pensioneve do të ishte e udhës të kuptoheshin drejt përmasat e këtij informaliteti, në mënyrë që të mos devijojnë parametrat e skemës së re”.
“Jemi nga të paktat vende që në momentin që qeveria rrit pagën minimale, ne na rritet edhe numri i punonjësve, sepse bizneset kanë shumë punonjës me paga të larta dhe nuk i raportojnë”, u shpreh Themeli. /ekofin.al
