Pas ndryshimeve që pësoi rregullorja “Për administrimin e rrezikut në institucionet financiare jobanka”, e cila hyn në fuqi më 1 janar 2025 dhe parashikon masa kufizuese për kreditimin, Banka e Shqipërisë do të vijojë më tej me ndryshimet rregullatore, duke ulur normën efektive të interesit për kreditë konsumatore.
Kufizimet u përfshinë për herë të parë në regulloren që BSH miratoi gjatë vitit 2021 dhe nisën zbatimin nga 1 janari 2022. Prej atëherë, BSH llogarit dhe publikon çdo 6 muaj një NEI mesatar.
Vlerësimi bëhet për secilin interval kredie, që nga ato të cilësuara “kredi të shpejta” deri në 200 mijë lekë e në vijim për shumat më të mëdha. Aktualisht NEI është norma mesatare e interesit të kredive të akorduara në treg, plus 1/3.
E ndodhur nën trysninë për të ndërhyrë, edhe pas skandalit me disa institucione përmbarimore, të licencuara si institucione financiare jobanka, Banka e Shqipërisë pritet të ndërhyjë duke ulur më tej normat tavan për interesin e kredive konsumatore.
Parashikohet që ndërhyrja të prekë më së shumti linjat e kredive deri në 200 mijë, aty ku interesat janë aktualisht edhe më të larta, kjo edhe për shkak se risku vlerësohet i lartë.
Mbetet për t’u parë se cila do të jetë formula që do të adaptojë Banka e Shqipërisë për kufizimin e normave të këtyre kredive, por me siguri këto lëvizje pritet të sjellin kufizim të biznesit kryesor për institucionet e mikrofinancës dhe nevojën më tej për t’u ridimensionuar.
