Close Menu
Ekofin
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Biznes
  • Tregje
  • Turizëm
  • Green
  • Të tjera
  • Blog
  • English

BE gjobit Google me 890 milionë euro, dy hetimet që “fundosën” gjigantin amerikan

17:46 - Korrik 23, 2026

Nga Tiki-Taka te Telco: Pas Botërorit, Europa duhet të fitojë sfidën dixhitale

16:35 - Korrik 23, 2026

Shoqata Shqiptare e Bankave hap garën për Sekretar të Përgjithshëm

14:54 - Korrik 23, 2026
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook Instagram X (Twitter) LinkedIn
EkofinEkofin
Subscribe
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Biznes
  • Tregje
  • Turizëm
  • Green
  • Të tjera
  • Blog
  • English
Ekofin

Banka e Shqipërisë po drafton ligjin e ri për institucionet e kreditit dhe mbikëqyrjen e tyre

01:29 - Shkurt 20, 2026 Kryesore
Shpërndaje
Facebook Twitter Pinterest Email WhatsApp

Banka e Shqipërisë ka konfirmuar se është në fazën e hartimit të projektligjit të ri “Mbi ushtrimin e veprimtarisë së institucioneve të kreditit dhe mbikëqyrjen e kujdesshme të tyre”, i cili synon përafrimin e plotë të sistemit bankar shqiptar me kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian.

Në një përgjigje për Ekofin.al, Banka e Shqipërisë ka dhënë detaje të rëndësishme mbi reformën e pritshme ligjore në sektorin bankar.

Harmonizimi me legjislacionin e BE

Sipas Bankës, projektligji i ri do të harmonizohet me Direktivën 2013/36/EU (CRD IV/V/VI) dhe me disa dispozita të Rregullores 575/2013/EU, që përbëjnë bazën e mbikëqyrjes bankare në Bashkimin Evropian. Këto rregulla përcaktojnë standarde të forta për kapitalin e bankave, qeverisjen e brendshme, administrimin e rrezikut dhe mbikëqyrjen me bazë rreziku, me synim forcimin e stabilitetit financiar dhe parandalimin e krizave.

Dispozitat relevante të Rregullores 575/2013/EU, të cilat Banka e Shqipërisë synon t’i përafrojë në kuadrin e ligjit të ri për bankat, përcakton standardet bazë se sa të forta financiarisht duhet të jenë bankat për të përballuar humbje dhe kriza, duke vendosur theksin te kapitali real, menaxhimi i rrezikut dhe qëndrueshmëria afatgjatë.

Ajo kërkon që institucionet e kreditit të mbajnë nivele minimale kapitali cilësor, të ndarë sipas kategorive të përcaktuara, në mënyrë që të mos mbështeten vetëm në hua apo instrumente të pasigurta, por të kenë rezerva reale përballë goditjeve financiare. Në të njëjtën kohë, rregullorja lidh drejtpërdrejt nivelin e kapitalit me shkallën e rrezikut që merr banka, duke imponuar që portofolët më të rrezikshëm të mbështeten me më shumë fonde vetjake, çka synon të frenojë sjelljet spekulative dhe marrjen e rreziqeve të tepruara.

Një tjetër shtyllë e rëndësishme e rregullores lidhet me likuiditetin, përmes kërkesës që bankat të kenë rezerva të mjaftueshme për të përballuar periudha tensioni afatshkurtër dhe burime të qëndrueshme financimi në afatgjatë, në mënyrë që të mos mbeten papritur pa mjete monetare. Paralelisht, rregullorja vendos kufij të qartë për nivelin e borxhit dhe zgjerimin e aktivitetit përmes huamarrjes, duke parandaluar rritjen artificiale të bilanceve dhe krijimin e “flluskave” financiare.

CRR gjithashtu standardizon mënyrën se si maten dhe vlerësohen rreziqet kryesore, përfshirë rrezikun e kredive, të tregut dhe atë operacional, si dhe ekspozimet ndaj shteteve, bankave dhe bizneseve të tjera, duke i detyruar bankat të mbajnë kapital proporcional me secilin lloj rreziku që marrin. Krahas kësaj, ajo forcon ndjeshëm detyrimet për raportim dhe transparencë, duke kërkuar publikimin e rregullt të të dhënave financiare dhe operative, me synim rritjen e besimit të publikut dhe uljen e hapësirave për manipulim.

Efekti i likuidimit të bankave 

Po ashtu, projektligji do të përafrohet edhe me Direktivën 2001/24/EC, e cila rregullon riorganizimin dhe likuidimin e institucioneve të kreditit, që veprojnë në më shumë se një shtet, duke synuar një trajtim të unifikuar dhe të koordinuar në rast vështirësish serioze financiare apo falimentimi. Ajo mbështetet në parimin e “vendit të origjinës”, sipas të cilit autoriteti mbikëqyrës i shtetit ku banka ka selinë qendrore ka kompetencën kryesore për të marrë vendime mbi administrimin e përkohshëm, masat e shpëtimit apo likuidimin, ndërsa këto vendime njihen automatikisht nga shtetet e tjera.

Mbrojtja e konsumatorit

Direktiva garanton gjithashtu trajtim të barabartë të kreditorëve dhe mbrojtje të interesave të depozituesve, duke shmangur hapjen e procedurave paralele dhe konfliktet juridike ndërkufitare. Në kontekstin e Shqipërisë, përafrimi me këtë direktivë nënkupton krijimin e një kuadri më të qartë dhe më të besueshëm për menaxhimin e krizave bankare, forcimin e bashkëpunimit me autoritetet evropiane dhe rritjen e sigurisë ligjore në rast ristrukturimi apo falimentimi të bankave me lidhje ndërkombëtare.

Procesi i miratimit të ligjit, sipas Bankës së Shqipërisë, do të varet nga konsultimi me Komisioni Evropian. Para se projektligji të hidhet për konsultim publik dhe të dërgohet për miratim në Kuvend, ai duhet t’i nënshtrohet një procesi vlerësimi dhe dialogu me institucionet evropiane. Për këtë arsye, Banka pranon se aktualisht nuk mund të përcaktohet një afat konkret për miratimin e tij.

Shtyllat kryesore të reformës 

Sipas Bankës së Shqipërisë, reforma synon të ndërtojë një kuadër modern dhe të krahasueshëm me atë të vendeve të BE-së. Shtyllat kryesore të ligjit të ri përfshijnë forcimin e kushteve për licencimin e bankave dhe institucioneve të kreditit, zgjerimin e kompetencave të Bankës së Shqipërisë si autoritet mbikëqyrës, si dhe vendosjen e rregullave të qarta për administrimin e rrezikut dhe kontrollin e brendshëm.

Një element i rëndësishëm është edhe parashikimi i së drejtës së “passporting”-ut, që u mundëson institucioneve financiare me seli në BE të ofrojnë shërbime në Shqipëri pa pasur nevojë për një licencë të veçantë kombëtare, duke rritur konkurrencën dhe integrimin financiar me tregun evropian.

Projektligji parashikon gjithashtu fuqizimin e rolit të Bankës së Shqipërisë në vlerësimin e profilit të rrezikut të bankave përmes procesit SREP, duke i dhënë asaj të drejtën të vendosë kërkesa shtesë për kapital, masa korrigjuese dhe ndërhyrje të hershme. Në të njëjtën kohë, do të rregullohen më fort politikat e shpërblimit dhe bonuseve, për të shmangur nxitjen e marrjes së rreziqeve të tepruara.

Një tjetër aspekt është mbikëqyrja e konsoliduar e grupeve bankare, bashkëpunimi me autoritetet evropiane dhe ato të vendeve të treta, si dhe forcimi i koordinimit me institucionet vendase për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Bankat digjitale

Sa u përket bankave digjitale, Banka e Shqipërisë sqaron se standardet e BE-së nuk bëjnë dallim mes bankave me prezencë fizike dhe atyre online. Për rrjedhojë, edhe bankat digjitale në Shqipëri do t’i nënshtrohen të njëjtave kërkesa dhe mbikëqyrje, ashtu si edhe bankat tradicionale./ekofin.al

 

Ekofin Media
Ekofin Media
banka digjitale falimentimi grupet bankare licence unionet e kursim-kreditit
Shpërndaje. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email

Të ngjashme

Shoqata Shqiptare e Bankave hap garën për Sekretar të Përgjithshëm

14:54 - Korrik 23, 2026

Gjykata e Tiranës nis “pushimet e verës”, pezullon shortin që nga 24 korriku

13:40 - Korrik 23, 2026

QKB, rriten me 7.5% bizneset e reja në 6-mujorin e parë, shtohen sipërmarrjet me kapital të huaj

13:39 - Korrik 23, 2026
Komento
Leave A Reply Cancel Reply

Ekofin Media
Ekofin Media
Ekofin Media
Ekofin Media
Ekofin Media

Shoqata Shqiptare e Bankave hap garën për Sekretar të Përgjithshëm

gazetar_114:54 - Korrik 23, 20260

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ka hapur zyrtarisht procedurat për përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm,…

Gjykata e Tiranës nis “pushimet e verës”, pezullon shortin që nga 24 korriku

13:40 - Korrik 23, 2026

QKB, rriten me 7.5% bizneset e reja në 6-mujorin e parë, shtohen sipërmarrjet me kapital të huaj

13:39 - Korrik 23, 2026

Nafta 206 lekë/litri, kompanitë e transportit presin rimbursimin e parë dhe kërkojnë sërish

12:51 - Korrik 23, 2026
Na Ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
Ekofin Media
Rreth nesh
Rreth nesh

Informacione, analiza, të dhëna rreth zhvillimeve ekonomike dhe financiare. Qytetarët në fokus. Gjithçka për transparencën. Ekofin Albania.

14:54 - Korrik 23, 2026

Shoqata Shqiptare e Bankave hap garën për Sekretar të Përgjithshëm

13:40 - Korrik 23, 2026

Gjykata e Tiranës nis “pushimet e verës”, pezullon shortin që nga 24 korriku

13:39 - Korrik 23, 2026

QKB, rriten me 7.5% bizneset e reja në 6-mujorin e parë, shtohen sipërmarrjet me kapital të huaj

BE gjobit Google me 890 milionë euro, dy hetimet që “fundosën” gjigantin amerikan

17:46 - Korrik 23, 2026

Nga Tiki-Taka te Telco: Pas Botërorit, Europa duhet të fitojë sfidën dixhitale

16:35 - Korrik 23, 2026

Shoqata Shqiptare e Bankave hap garën për Sekretar të Përgjithshëm

14:54 - Korrik 23, 2026
© 2026 Ekofin. Crafted with love by BeeTech Solutions.

Shkruani togfjalëshin dhe shtypni Enter