Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, paralajmëroi se konflikti ushtarak në Lindjen e Mesme përbën rrezikun më të madh aktual për ekonominë, duke sjellë rritje të shpejtë të çmimeve të energjisë dhe duke krijuar pasiguri të lartë për inflacionin dhe rritjen ekonomike në vend. Sipas tij, nëse tensionet përshkallëzohen apo zgjasin në kohë, ato mund të kthehen në një goditje të fortë oferte, me pasoja të ngjashme me krizën e vitit 2022.
Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi më 25 mars 2026 të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, duke reflektuar një qasje të kujdesshme përballë pasigurive globale. Guvernatori theksoi se ky qëndrim krijon kushtet e nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit 2026, ndërsa njëkohësisht i jep kohë bankës qendrore të vlerësojë ndikimin e zhvillimeve ndërkombëtare.
Sipas Sejkos, ekonomia shqiptare vijon të shfaqë një performancë pozitive. Aktiviteti ekonomik është rritur rreth 3.7% gjatë vitit 2025, i nxitur nga konsumi, investimet private dhe eksporti i shërbimeve. E njëjta prirje pozitive ka vijuar edhe në fillim të vitit 2026. Ai nënvizoi se tregu i punës mbetet i fortë, me rritje të punësimit me 5.6%, paga në rritje me 8.5% dhe papunësinë në nivel të ulët historik prej 8.3%.
Nga ana tjetër, inflacioni mbetet nën objektiv, duke shënuar mesatarisht 2.4% në dy muajt e parë të vitit 2026. Sipas Guvernatorit, kjo ecuri reflekton ende ndikimin e ulët të inflacionit të importuar dhe efektet e faktorëve pozitivë të ofertës gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, ai vuri në dukje se presionet e brendshme, veçanërisht nga rritja e çmimeve të qirave, kanë nisur të shtohen.
Sejko theksoi gjithashtu rolin e politikës monetare në këtë stabilitet, duke nënvizuar se lehtësimi i saj gjatë vitit 2025 ka ndihmuar në uljen e normave të interesit dhe në rritjen e kreditimit. Kredia për sektorin privat është zgjeruar me rreth 14% në fillim të vitit 2026, duke mbështetur konsumin dhe investimet, veçanërisht në sektorin e banesave dhe të biznesit.
Në përfundim, Guvernatori garantoi se Banka e Shqipërisë do të vijojë të monitorojë me kujdes situatën dhe do të reagojë në kohën dhe masën e duhur ndaj çdo rreziku që mund të cënojë stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar. /ekofin.al
