Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbajti sot të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.75%. Në fjalën e tij pas mbledhjes së sotme, Guvernatori, Gent Sejko, tha se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive në gjysmën e dytë të vitit.
Aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet, inflacioni mbetet i ulët dhe nën kontroll, tregjet financiare shfaqen relativisht të qeta, ndërsa ritmet e rritjes së kredisë janë të larta.
Në tërësi, sipas tij, rritja ekonomike e gjysmës së dytë të vitit vlerësohet të ketë ruajtur tipare të ngjashme – si nga këndvështrimi sektorial dhe nga ai i kërkesës agregate – me ato të gjashtëmujorit të parë. Kjo rritje vlerësohet të jetë ushqyer nga zgjerimi i konsumit, i investimeve dhe i eksportit të shërbimeve, dhe të jetë pasqyruar në zgjerim të aktivitetit në sektorin e shërbimeve dhe të industrisë.
“Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime ka vijuar të pasqyrohet në rritje të pagave e të punësimit. Sipas të dhënave të INSTAT-it, pagat mesatare në sektorin privat u rritën me 5.4% gjatë tremujorit të tretë, duke shënuar një ngadalësim të lehtë krahasuar me tremujorin paraardhës. Ky ngadalësim tregon një lehtësim të presioneve në tregun e punës dhe është premisë për një ecuri më të qëndrueshme të çmimeve dhe të inflacionit në të ardhmen.
Në aspektin makroekonomik, rritja ekonomike vijon të mbështetet nga rritja e të ardhurave të disponueshme, bilancet e shëndetshme financiare të bizneseve dhe familjeve, kushtet e favorshme financiare, si dhe optimizmi për të ardhmen. Kjo bazë e gjerë faktorësh sugjeron vijimin e trendeve pozitive edhe në të ardhmen,” tha Sejko.
Duke komentuar qëndrueshmërinë e inflacionit pranë nivelit të 2%, Guvernatori tha se ecuria e inflacionit gjatë vitit 2024 ka pasqyruar reduktimin e shpejtë të inflacionit të importuar, normalizimin gradual të pritjeve për rritjen e çmimeve nga agjentët ekonomikë, si dhe nivelet relativisht të qëndrueshme të inflacionit të brendshëm. Në një këndvështrim më të detajuar, rënia e inflacionit të importuar gjatë tremujorit të parë dhe nivelet e ulëta të tij gjatë pjesës së mbetur të vitit janë diktuar nga ecuria e ngjashme e këtij treguesi në partnerët tanë tregtarë, nga çmimet e ulëta të artikujve bazë në tregjet botërore, si dhe nga forcimi i mëtejshëm i kursit të këmbimit. Nga ana tjetër, nivelet relativisht të qëndrueshme të inflacionit të gjeneruar brenda ekonomisë sonë kanë pasqyruar kërkesën e lartë për mallra e shërbime dhe rritjen e shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit.
Sejko theksoi se tregu financiar ka pasqyruar sinjalet e politikës monetare, duke shfaqur prime të ulëta rreziku dhe norma të favorshme interesi. Lehtësimi i politikës monetare ka ndikuar të gjitha segmentet e tregut, duke ulur kostot e financimit për qeverinë, familjet dhe bizneset shqiptare. Përveç politikës monetare, kushtet e favorshme të financimit tregojnë gjithashtu edhe përqasjen pozitive të sektorit bankar ndaj kreditimit. Kjo qasje është nxitur nga likuiditeti i bollshëm, rreziku i ulët i kredisë, dhe klima pozitive e besimit në ekonomi.
