Banka e Shqipërisë ka propozuar ndryshime rë rëndësishme në rregulloren “Për funksionimin e sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël – AECH”.
AECH është një sistem i klerimit të instruksioneve të pagesave, i cili mundëson shkëmbimin e instruksioneve të pagesave të cash-it ndërmjet pjesëmarrësve, realizon përllogaritjen e pozicioneve shumëpalëshe neto të tyre, dhe dërgimin e një instruksioni shlyerjeje neto për shlyerjen përfundimtare dhe të parevokueshme në sistemin AIPS.
Sipas projektrregullores propozohet që çmimi i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësit për klientët e tyre, për të gjitha urdhërpagesat në nisje nëpërmjet AECH me vlerë nga 40 mijë lekë deri në 1 milion lekë, nuk duhet të jetë më i lartë se 100 lekë.
Çmimi i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësit për klientët e tyre, për të gjitha urdhërpagesat në nisje nëpërmjet AECH me vlerë nga 1 milion lekë deri në 5 milion lekë, nuk duhet të jetë më i lartë se 500 lekë.
Çmimi i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësit për klientët e tyre, për të gjitha urdhërpagesat në nisje nëpërmjet AECH me vlerë nga 5 milionë lekë deri në 10 milion lekë, nuk duhet të jetë më i lartë se 1 mijë lekë.
Çmimi i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësit për klientët e tyre, për të gjitha urdhërpagesat në nisje nëpërmjet AECH me vlerë nga 10 milionë lekë deri në 15 milionë lekë, nuk duhet të jetë më i lartë se 1,400 lekë.
Komisionet e aplikuara nga pjesëmarrësit ndaj klientëve të tyre për investigimin e instruksioneve të pasakta të urdhërpagesave të transmetuara nëpërmjet AECH, duhet të jenë transparente, të arsyeshme dhe të bazuara në kosto.
Për pagesat e urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AECH, në asnjë rast nuk duhet të aplikohen komisione për fondet në mbërritje.
Për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AECH, por që janë të iniciuara në formë elektronike, me vlerë më të vogël ose të barabartë me 40 mijë lekë, nuk duhet të aplikohen komisione.
Për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AECH, por që janë të iniciuara në formë elektronike, me vlerë më të madhe se 40 mijë lekë, komisionet nuk duhet të jenë më të mëdha se 50% e komisioneve të aplikuara për pagesat e iniciuara në formë joelektronike.
Kufiri i sipërm i urdhërpagesës dhe kufiri i sipërm i debitimit direkt është 15 milionë lekë nga 1.5 milionë që ishte më parë. /ekofin.al
