Banka e Shqipërisë dhe Banka Evropiane e Investimeve (BEI) nënshkruan sot një marrëveshje historike bashkëpunimi për zhvillimin e financave të gjelbra dhe për të mbështetur rritjen ekonomike të qëndrueshme në Shqipëri.
Programi përfshin zhvillimin e një taksonomi të gjelbër për klasifikimin e aktiviteteve ekonomike të qëndrueshme dhe mbështetjen e bankave për të mobilizuar fonde drejt projekteve të gjelbra, si dhe ndërtimin e kapaciteteve për menaxhimin e rreziqeve klimatike dhe përgatitjen e sektorit financiar për të zbatuar praktikat më të mira ndërkombëtare në financat e qëndrueshme.
Nënshkrimi i marrëveshjes u mbajt në ambientet e Bankës së Shqipërisë në Tiranë, në prani të zëvendëspresidentit të EIB-së, Robert de Groot, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe shefit të Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Hubert Perr.
Ky bashkëpunim strategjik përbën një hap të rëndësishëm drejt realizimit të tranzicionit të gjelbër dhe avancimit të agjendës së Shqipërisë për integrimin në BE.
Në fjalën e tij, guvernatori Sejko deklaroi se Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2024 ka ndërmarrë disa nisma të rëndësishme që dëshmojnë angazhimin tonë konkret, përfshirë analizën e ekspozimit të sektorit bankar ndaj rreziqeve klimatike, e cila ka ndihmuar në identifikimin e rajoneve dhe sektorëve më të prekur, si dhe hartimin e Udhëzuesit për Menaxhimin e Rreziqeve Klimatike, i cili krijon një kornizë të qartë për bankat që t’i integrojnë këto rreziqe në sistemet e tyre të menaxhimit të rrezikut.
Në fjalën e tij, zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, u shpreh se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon një gur themeli në bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë.
Ndërkohë, shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Hubert Perr, theksoi se Bashkimi Evropian në Shqipëri po mbështet forcimin e partneritetit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), banka e klimës e BE-së.
Gjatë vizitës në Bankën e Shqipërisë, zëvendëspresidenti Robert de Groot zhvilloi dhe një takim zyrtar me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi prioritetet strategjike të financave të gjelbra në Shqipëri. Më konkretisht, ai u fokusua në rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për të përmirësuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar shqiptar dhe për të adresuar sfidat klimatike, në përputhje me objektivat kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

