Raporti i Bankës Botërore mbi financat publike në Shqipëri konstaton se sistemi i taksimit të pronës mbetet joefektiv dhe nën potencialin fiskal të vendit, duke kontribuar vetëm 0.3% të të ardhurave tatimore. Sipas vlerësimit, mënyra aktuale e taksimit, e bazuar kryesisht në sipërfaqe, nuk arrin të sigurojë të ardhura të qëndrueshme dhe as të garantojë drejtësi fiskale mes tatimpaguesve.
Sistemi karakterizohet nga rregulla të fragmentuara, normë e ulët tatimi dhe bazë e ngushtë tatimore, çka ka bërë që të ardhurat nga kjo taksë të mbeten thuajse të pandryshuara prej vitesh. Mbledhja është problematike, pasi bashkitë arkëtojnë vetëm rreth 30% të potencialit, duke lënë një pjesë të madhe të pronave jashtë sistemit të taksimit, ndërsa vëmendja përqendrohet te bizneset, të cilat tatohen më fort.
Probleme serioze evidentohen edhe në lidhje me Kadastrën Fiskale, ku cilësia dhe plotësia e të dhënave mbeten të pamjaftueshme. Edhe pse infrastruktura teknike është gati, Sistemi i Informacionit të Kadastrës Fiskale (SIKF) nuk përdoret ende nga bashkitë dhe përfundimi i tij parashikohet vetëm në fund të vitit 2026.
Raporti ngre shqetësime edhe për politikat e përjashtimeve nga taksa, të cilat sipas Bankës Botërore nuk janë të orientuara drejt shtresave më në nevojë. Mbi 36% e familjeve përfitojnë përjashtime, por pothuajse gjysma e familjeve në decilin më të lartë të të ardhurave përfitojnë prej tyre, kundrejt vetëm 25–37% të familjeve në decilet më të ulëta. Tek familjet me kryefamiljare gra, diferenca është edhe më e theksuar, çka rrezikon rritjen e pabarazive sociale.
Si zgjidhje, rekomandohet kalimi gradual në një sistem të taksimit sipas vlerës së tregut dhe rishikimi i plotë i skemës së përjashtimeve.
Edhe pse është alternativa më e drejtë, taksimi mbi bazë të vlerës së tregut përballet me rezistencë për shkak të frikës nga fatura më të larta tatimore në një vend ku 92.5 për qind e familjeve janë pronare të banesës së tyre. Familjet më të varfra ose të moshuarat kanë më shumë gjasa të jenë pronare, por kanë të ardhura të kufizuara, gjë që përforcon keqkuptimin se ky sistem dëmton shtresat me të ardhura të ulëta.
Në realitet, ky sistem është më i drejtë se taksimi mbi sipërfaqe dhe ai me çmime reference, të cilët mund të rëndojnë tatimpaguesit me të ardhura të ulëta duke injoruar ndryshimet në vlerën reale të pronës. Decilet më të larta të konsumit kanë zakonisht qira të imputuara më të larta për prona më me vlerë. Po ashtu, qiratë mesatare mujore më të larta gjenden në Tiranë dhe Durrës, ndërsa prefekturat e tjera kanë nivele të ngjashme mes tyre. Kjo e bën sistemin e bazuar në vlerën e tregut një formë më të drejtë të tatimit të pronës, thekson raporti.
Sipas vlerësimeve, me një normë tatimi 0.1% dhe heqje të përjashtimeve, të ardhurat vjetore mund të arrijnë deri në 30.8 miliardë lekë, ndërsa nëse përjashtimet mbeten, të ardhurat parashikohen rreth 10.1 miliardë lekë. Kjo tregon se kufizimi dhe targetimi i përjashtimeve është vendimtar për suksesin e reformës.
Projektligji i ri për tatimin mbi pronën pritet të miratohet në vitin 2026, ndërsa taksimi mbi vlerën e tregut për ndërtesat do të nisë në 2028 dhe për tokën në 2030. Raporti thekson se suksesi i reformës varet nga forcimi i kadastrës ligjore dhe fiskale, mbikëqyrja institucionale dhe krijimi i një institucioni të vetëm përgjegjës për vlerësimin masiv, për të garantuar një sistem më të drejtë, transparent dhe efikas./ekofin.al
